Nuk i shitet askujt që ka lindur pas 2009, Zelanda e Re miraton ligjin për duhanin

3

Zelanda e Re ka miratuar një plan unik për të hequr dorë nga pirja e duhanit për brezin e ri.

Ligji thotë se duhani nuk mund t’i shitet askujt që ka lindur më ose pas 1 janarit 2009 – dhe tani e tutje, mosha minimale për blerjen e cigareve do të vazhdojë të rritet, shkruan Euronews.

Por autoritetet shëndetësore shpresojnë se pirja e duhanit do të zhduket shumë më parë. Ata kanë një qëllim të deklaruar për ta bërë Zelandën e Re pa duhan deri në vitin 2025.

Ligji i ri redukton gjithashtu numrin e shitësve me pakicë të lejuar të shesin duhan nga rreth 6,000 në 600 dhe ul sasinë e nikotinës së lejuar në duhanin që pihet.

“Nuk ka asnjë arsye të mirë për të lejuar që të shitet një produkt që vret gjysmën e njerëzve që e përdorin atë,” u tha ligjvënësve në Parlament Ministrja e Shëndetësisë Dr. Ayesha Verrall.

“Dhe mund t’ju them se ne do t’i japim fund kësaj në të ardhmen, me miratimin e këtij legjislacioni”, u shpreh ajo më tej.

euronews.al