Paga mesatare shkon 61 600 lekë, INSTAT: Rrogat u rritën 9% deri në shtator

2

Paga mesatare në Shqipëri në muajin shtator ishte 61,600 lekë. Një vit më parë, ajo ishte 56.400 lekë.

Rritja vjetore me 9.2 % rezulton të jetë më e madhe se inflacioni i cili po në muajin shtator ishte 8.1%. Pra me llogaritjet që nxjerr INSTAT, rrogat janë rritur më shumë se çmimet.

Në sektorin privat rritja është më e madhe. Kjo për dy arsye, për shkak të rritjes së pagës minimale dhe për sforcot e punëdhënësve për të mbajtur punonjësit në punë.

Kjo duket në sektorë të tillë si bujqësia, tregtia, ndërtimi e industria, ku punonjësit po marrin mesatarisht 5700 lekë më shumë se vitin e kaluar çdo muaj. Pra, nëse rritja e përgjithshme e rrogave rezulton 9%, në këta sektorë ajo arrin në 16%.

Por, deri në fund të vitit, paga mesatare pritet të shënojë një rritje tjetër progresive, pasi punonjësit me pagë minimale dhe disa kategori të tjera në shtet kanë përfituar rritje page deri në 7%.

euronews.al