Plani i lëvizjes së automjeteve dhe itenerari i Maratonës së Tiranës

363

Ditën e dielë, në datë 9 Tetor 2016, ora 9.00, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Atletikës, organizon “Maratonën e Tiranës 2016”. Një aktivitet, i cili synon ta fusë Tiranën në hartën e maratonave që organizohen në shumë qytete të botës, si dhe të kthehet në një traditë për kryeqytetin.

Për këtë qëllim, Bashkia e Tiranës publikon sot planin e lëvizjes së automjeteve gjatë zhvillimit të aktivitetit, si dhe hartën e itenerarit të maratonës, për të gjithë ata qytetarë që duan të marrin pjesë në këtë aktivitet. Regjistrimi për t’u bërë pjesë e Maratonës së Tiranës është online në faqen e internetit www.maratonaetiranes.al.

Për itenerarin kliko këtu

Ndërkaq, Bashkia e Tiranës dëshiron t’u bëjë thirrje qytetarëve të saj që në datën 9 Tetor të minimizojnë qarkullimin me automjete nga ora 05.00 deri në orën 14.00.

Në Maratonën e Tiranës (nisja bëhet përpara Muzeut Kombëtar) do të marrin pjesë 4 kategori:

Fun Run – 1km, për nxënësit e shkollave të mesme;

Hand Bike – 2 km, për personat paraplegjikë;

Run (femër/mashkull) 10 km, çdo qytetar shqiptar apo i huaj;

Half Marathon (femër/mashkull) 21 km, çdo qytetar shqiptar apo i huaj.

Kjo maratonë është një mundësi e mirë argëtimi dhe ushtrimi të aktivitetit sportiv  në qytet, si dhe ndihmon për ta kthyer fokusin  në aktivitete me bazë angazhimin fizik.

Bashkëlidhur gjeni me detaje planin e lëvizjes së automjeteve gjatë kohës që do të zhvillohet Maratona e Tiranës.

  1. Qarkullimi i automjeteve gjatë zhvillimit të “Maratona e Tiranës 2016”, me itenerar fillimi dhe mbarimi kryqëzimi i rrugës së Durrësit me rr. “Dedë Gjo Luli”, duke vazhduar përgjatë rrugës së Durrësit – rr. Dritan Hoxha – rr. 29 Nëntori – deri në mbikalimin e “Rinasit”, do të bëhet i kufizuar si më poshtë:
  2. Ndalohet qarkullimi në rrugën “Dedë Gjo Luli”
  • Në kryqëzimin e bulevardit “Zogu I” (sipas sensit veri-jug) me rrugën “Fortuzi”, drejtim i detyruar djathtas.
  • Në kryqëzimin “Rruga e Kavajës” (sipas sensit perëndim-lindje) me rrugën “Dedë Gjo Luli”, drejtim i lejuar djathtas.
  • Në kryqëzimin “Rruga e Dibrës” (sipas sensit lindje-perëndim) me bulevardin “Zogu I”, drejtim i detyruar djathtas.
  1. Ndalohet qarkullimi në “Rrugën e Durrësit”.
  • Në kryqëzimin e rrugës “Fortuzi” (sipas sensit lindje-perëndim) me rrugën “Mine Peza”, drejtim i detyruar djathtas.
  • Në kryqëzimin e rrugës “Mine Peza” me rrugën “e Bogdanëve”, drejtim i detyruar drejt.
  • Në të gjitha rrugët që kryqëzohen me rrugën e Durrësit pezullohet sensi dalës për në këtë rrugë.
  1. Kufizohet qarkullimi në sheshin “Karl Topia”.
  • Pezullohet qarkullimi në rrugën “Muhamet Gjollesha” (segmenti Sheshi “Karl Topia” – rruga “Sandër Prosi”) sipas sensit hyrës në shesh jug-veri. Sensi dalës i rrugës “Muhamet Gjollesha” nga Sheshi “Karl Topia” është i hapur.
  • Në kryqëzimin e rrugës “Asim Vokshi” (sipas sensit lindje-perëndim) me rrugën “Don Bosko”, drejtim i detyruar djathtas, kurse drejt vetëm për mjetet e emergjencës dhe shërbimit urban qytetës.
  • Në kryqëzimin e rrugës “Mine Peza” me rrugën “Asim Vokshi”, drejtim i detyruar drejt-djathtas.
  1. Kufizohet qarkullimi në rrugën “Dritan Hoxha”.
  • Pezullohet qarkullimi në rrugën “Dritan Hoxha” sipas sensit jug-veri. Gjatë zhvillimit të aktivitetit korsia e dedikuar është e hapur në shërbim të mjeteve të emergjencës dhe shërbimit urban qytetës. Sensi veri-jug i rrugës “Dritan Hoxha” është i hapur.
  • Në të gjitha rrugët në anën lindore që kryqëzohen me rrugën “Dritan Hoxha” pezullohet sensi dalës për në këtë rrugë.
  • Në kryqëzimin e rrugës “Dritan Hoxha” me “Lord Bajronin” sipas sensit të lejuar për qarkullim, drejtim i detyruar drejt.
  • Në kryqëzimin e rrugës me “Lord Bajronin” me “Gjergj Legisi”, drejtim i detyruar djathtas.
  1. Kufizohet qarkullimi në sheshin “Shqiponja”.
  • Në kryqëzimin me rrethrotullim të sheshit “shqiponja” me rrugën “Vangje Noti”, drejtim i detyruar djathtas.
  • Në kryqëzimin e rrugën “Teodor Keko” me “Dritan Hoxha kalimi në rrethrotullim, drejtim i detyruar djathtas.
  • Në kryqëzimin e rrugën “29 Nëntori” me “Teodor Keko” kalimi në rrethrotullim, drejtim i detyruar drejt-djathtas.
  1. Kufizohet qarkullimi në rrugën “29 Nëntori”.
  • Pezullohet pjesërisht qarkullimi në rrugën “29 Nëntori” sipas sensit jug-veri. Gjatë zhvillimit të aktivitetit dy korsi lëvizjeje do të jenë të lira për qarkullim.
  • Në hyrje të mbikalimit sipas sensit jug-veri, ndalohet qarkullimi drejt për në autostradë. Të gjitha mjetet që lëvizin në korsitë e rezervuara devijim i detyruar djathtas.
  • Sensi veri-jug i rrugës “29 Nëtori” është i lirë.
  1. Iteneraret e linjave urbane që preken nga ky plan ndërpriten gjatë zhvillimit të aktivitetit.
  2. Të gjitha kufizimet e përshkruara më sipër janë në fuqi më datë 9.10.2016, nga ora 05:00 deri 14:00.