Projekti “Playmakers”, promovim i futbollit në mosha të hershme

2

Projekti “Playmakers” i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me UEFA-n dhe kompaninë e famshme të filmave po shtrihet gjithnjë e më shumë në shkollat e vendit dhe në qytetet të ndryshme, duke u kthyer në nja aktivitet mjaft të dashur për vajzat e vogla.

Ky program i FSHF-së synon të sigurojë më shumë mundësi për vajzat që të dashurohen me futbollin, teksa bashkëpunimi emocionues me “Disney” është krijuar për të frymëzuar vajzat e moshës 5 deri në 8 vjeç, të cilat nuk kanë luajtur kurrë futboll, për të përjetuar lojën për herë të parë.

“Playmakers” ka gjithashtu si qëllim t’i afrojë vajzat me botën e bukur të futbollin: të zbatojë një qasje të re, të personalizuar të trajnimit/stërvitjes, që përdor imagjinatën (frymëzuar nga historitë dhe personazhet e Disney) si mjet për stërvitjen dhe të mësuarit e aftësive në futboll; si edhe të përmirësojë aftësimin fiziko-teknik të vajzave dhe të nxisë një marrëdhënie të përhershme me futbollin.

Këtë fundjavë dy trajneret e “Playmakers”, Entela Ndreka dhe Mikela Kakeli ishin në shkollën “Rreze Drite” në Tiranë për të vijuar me seancën e radhës stërvitore me një grup vajzash të vogla. Kur pyeten nëse i pëlqen futbolli ato shfaqen shumë entuziaste, sepse argëtohen me shoqet duke luajtur, teksa shfaqin dëshirën për të luajtur futboll edhe kur të rriten.

Sipas përgjegjësit të futbollit të fëmijëve në FSHF, Andi Zëre, këtë vit ka pasur një interes të shtuar dhe projekti është shtrirë në më shumë qytete krahasuar me vitin e kaluar. Shumë më shumë shkolla kanë shprehur dëshirën për t’u bërë pjesë e këtij programi mjaft të dashur për vajzat e vogla.

“Projekti Playmakers në këtë seozn të dytë ka pasur një rritje të konsiderueshme në pjesëmarrje, ka pasur më shumë qendra dhe qytete që i janë bashkuar projekti Playmakers në këtë edicion. Federata Shqiptare e Futbollit ka në fokusin e saj kryesor futbollin e fëmijëve, veçanërisht vajzave, dhe ky projekt ndihmon në promovimin e futbollit te moshat e vogla të vajzave. Ky projekt ndihmon në masivizimin e futbollit, ndihmon në promovimin e futbollit në mosha të hershme dhe dihet që futbolli i shërben aktivitetit fizik dhe socializimit mes fëmijëve”, – tha Andi Zëre duke folur për Fshf.org.

FSHF synon të zhvillojë një mjedis futbolli ku çdo vajza mund të gjejë një vend të sigurt dhe të kënaqshëm për të luajtur. “Playmakers” do të ndihmojë federatën që të angazhojë vajzat e reja që luajnë futboll për herë të parë dhe të krijojnë mundësi që ato të luajnë rregullisht, duke ndihmuar kështu në rritjen e pjesëmarrjes së përgjithshme.

/ata.gov.al