Rritet prodhimi i ullirit në Shqipëri me mbi 34%, ja qarku “kampion”

55

Shqipëria është një tokë e bekuar sa i përket rritjes dhe prodhimit të ullirit. Një raport i Institutit të Statistikave publikuar këtë javë bën të ditur se në Shqipëri prodhimi i ullinjve u rrit me 34% në vitin 2020.

Në vitin 2020, në Shqipëri u prodhuan 131 mijë e 971 tonë ullinj, duke shënuar rritje me 34,2 % krahasuar me një vit më parë. Në 2019, në Shqipëri u prodhuan 98 mijë e 3 tonë ullinj.

Niveli më i lartë i prodhimit të ullirit u arrit në qarkun e Fierit me 35 mijë e 854 tonë, pasuar nga qarqet Berat me 33 mijë e 82 tonë dhe Elbasan me 22 mijë e 764 tonë. Varietet e ullirit për vaj përfaqësojnë 82,2 % të prodhimit total dhe varietet e ullirit për tavolinë përfaqësojnë 17,7 %.

Prodhimi vendas i ullinjve, mbulon nevojat e konsumit në tregut vendas dhe një pjesë e konsiderueshme e këtij prodhimi kalon në përpunim për vaj ulliri.

Investimet në industrinë përpunuese të vajit të ullirit, kanë përmirësuar cilësinë e standardet e këtij produkti i cili tashmë është mjaft i kërkuar edhe për eksport edhe në tregjet europiane.

Kultura e ullinjve në Shqipëri është një traditë shekullore. Prodhimi vitet e fundit po mbështetet intensivisht edhe nga qeveria.

Subvencionet e qeverisë po mbështesin fermerët për shtimin e sipërfaqeve të mbjella me ullinj, për përmirësimin e mekanizimit dhe rritjen e kapaciteteve të prodhimit të vajit të ullirit.