Studime shpresëdhënëse për të parandaluar goditjen në zemër

83

Një nga anët më interesante të algoritmave të kompjuterave dhe të mësuarit e paisjeve elektronike, është aftësia e tyre për të nxjerrë të dhëna të reja nga teknologjitë e vjetra. Ekspertët e Universitetit të Londrës në Oksford për shembull kanë gjetur një mënyrë për të bërë grafitë e rregullta dhe për të parashikuar problemet e zemrës, që herët.

Shpresa për këtë teknologji të re është se u jep mundësi pacientëve që të marrin masat për të parandaluar probleme të mëtejshme të zemrës.

Ja se si funksionon: aktualisht, grafitë e zemrës mund të tregojnë lehtësisht nëse kanë ngushtim të rrezikshëm të arterieve, por vetëm kaq.

“Me teknologjinë e re, mund të bëjmë më shumë dhe të zbulojmë për shembull se arteriet nuk janë ngushtuar por ato janë të pezmatuara dhe ngushtimi ka gjasa të ndodhë pas pesë vjetësh. Në këtë mënyrë pacienti merr masa parandaluese, mund të marrë ilaçe, për të shmangur bllokimin e arterieve”, thotë profesori i Universitetit të Oksfordit, Charalambos Antoniades.

Studiuesit thonë se aftësia për të identifikuar pezmatimin përreth arterieve që herët është një arritje e rëndësishme në luftën për të parandaluar goditjet në zemër.

“Objektivi kryesor në diagnostikimin kardiovaskular ishte të gjendej një mënyrë për të identifikuar pezmatimin në arteriet e zemrës sepse jemi përpjekur ta realizojmë këtë prej 50 vjetësh, pasi nëse je në gjendje të dallosh pemzatimin e arterieve të zemrës, atëherë mund të gjesh se cilat arterie do të ngushtohen, do të sëmuren dhe se cilat do të shkaktojnë goditje në zemër”, thotë profesor Antoniades.

Studiuesit e Oksfordit besojnë se puna e tyre mund të identifikojë deri në 30 mijë persona në vit që janë në rrezik për një goditje në zemër.

“Në Britani, kemi 100 mijë raste goditjeje në zemër çdo vit. Me këtë teknologji të re, megjithëse nuk e kemi llogaritur shifrën e saktë të goditjeve që mund të parandalojmë, shanset janë që të identifikojmë të paktën 20 ose 30 për qind të njerëzve para se të pësojnë goditje, sepse këta njerëz i bëjnë grafitë si pjesë e kujdesit shëndetësor”.

Sëmundjet e zemrës dhe goditjet e tensionit të lartë, së bashku përbëjnë shkakun kryesor të vdekjeve në gjithë botën.