The New York Times artikull për Tiranën: Qyteti që aspiron të jetë Tel-Avivi i Ballkanit në teknologji

0

Një nga gazetat më të mëdha në botë, prestigjiozja “The New York Times”, i ka kushtuar këtë fundjavë një artikull të posaçëm Tiranës, duke u fokusuar te transformimi i Piramidës, nga mazoleumi i ish diktatorit komunist në një qendër për teknologjinë dhe inovacionin për të rinjtë dhe fëmijët.

Rindërtimin e saj, “The New York Times” e cilëson si një tempull që shkëlqen për shpresat ambicioze për të ardhmen e Shqipërisë. Gazeta kujton braktisjen e Piramidës gjatë viteve të para të demokracisë, rrënimin e saj, dhe vendimin e rëndësishëm të bashkisë së Tiranës për ta transformuar.

“Për kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, investimi për transformimin e Piramidës tregon si e përfytyron ai kryeqytetin: si “Tel-Avivi i Ballkanit”, një qendër e teknologjisë së inovacionit, që ofron vende pune, në një vend i cili nën udhëheqjen e Hoxhës ishte kaq i varfër dhe i izoluar nga bota moderne, saqë ndaloheshin edhe makinat e shkrimit dhe televizorët me ngjyra”, shkruan “The New York Times”.

Gazeta ka intervistuar edhe arkitektin e trasnformimit të Piramidës, Winy Maas, të studios holandeze MVRDV, i cili është shprehur se trajtimi i strukturave të ndërtuara enkas për të manifestuar tiraninë, ka përfshirë gjithmonë “vendime të vështira”, por shtoi se pavarësisht se sa të vështira janë fillimet e një ndërtese, shembja është “rrallë një opsion i mirë.”

/ata.gov.al