Bredhi i Sotirës me sipërfaqe të rritur ku mbrohen habitatet dhe speciet e veçanta

34

“Bredhi i Sotirës” u shpall dy vjet më parë si Park Natyror (kategoria IV e zonave të mbrojtura). Në vendimin e Këshillit të Ministrave të vitit 2022, u miratua përveç ndryshimit të statusit edhe sipërfaqja e ekosistemit natyror, nga 1 740 ha në 4 927.67 ha.

“Bredhi i Sotirës feston përvjetorin e shpalljes “Park Natyror” me një sipërfaqe të rritur ku mbrohen habitatet dhe speciet e veçanta, duke dhuruar edhe peizazhe të shumëllojshme në çdo stinë.

Zona e Mbrojtur “Bredhi i Sotirës” është mahnitëse në çdo stinë të vitit. I ndodhur në njësinë Administrative “Dropull i Sipërm”, kjo zonë konsiderohet si një perlë të natyrës shqiptare, qoftë nga pikëpamja ekoturistike si dhe nga ajo shkencore.

“Bredhi i Sotirës” shtrihet në shpatet verilindore, të Malit të Stugarës, në pellgun ujëmbledhës të përroit të Sotirës, degë e majtë e lumit të Drinos; nga rreth 550-1,806 m mbi nivelin e detit si dhe në veriperëndim, të Malit të Murganës. I gjithë relievi ka formën e një hinke me fund në fshatin e Sotirës.

Pozicioni në jug të vendit, në reliev mjaft të thyer, në të cilin gërshetohet ndikimi i klimës mesdhetare me atë malore, dhe larg rrugës kombëtare e bën vend mjaft të qetë, me biodiversitet të lartë të habitateve dhe të llojeve.

Bredhi i Sotirës është shpallur ZM për shkak të bimësisë së veçantë që mbulon shpatet e maleve të Stugarës dhe Murganës. Mbulesa kryesore e zonës së mbrojtur janë pylli i Bredhit të Maqedonisë (Abies borisii-regis) dhe Gështenjës së butë (Castanea sativa). Pavarësisht këtyre, sipërfaqe të konsiderueshme në zonë mbulojnë pyjet shkurrore gjithmonë të gjelbër, të dominuar nga Prralli, Ilqja si dhe pyjet e përziera me Cërmëdell, Shkozë, Blin, Panjë etj.

Në zonën e bredhit gjenden edhe drurë të Pishës së zezë, duke përfunduar në vijën ndarëse me kullotat, ku gjenden edhe drurë të rrallë të Ahut, të cilët përbëjnë edhe skajin më jugor të përhapjes së tij në Shqipëri.

Ndër llojet e tjera me interes ruajtje në zonë përmenden Manushaqia e Epirit (Viola epirota), Kokoçeli i Epirit (Centaurea epirota) dhe rreth 10 lloje saleporesh.

/ata.gov.al