Çfarë është Inteligjenca Emocionale?

736

Nga Kaon Serjani

-“EQ (Emotional Quotation) nuk është e kundërta e IQ ( Intelligence Quotation), por një tjetër lloj zgjuarsie.”

Uilli është një gjeni 20-vjeçar nga pjesa jugore e Bostonit, por, për shkak të mospërdorimit siç duhet të aftësive që ka, punon si pastrues me kohë të pjesshme në Institutin Teknologjik të Masaçusetsit, një nga shkollat më të mira në botë, dhe në ndërtim. Kohën e lirë e kalon duke pirë me shokët. Shefi i Departamentit të matematikes e dallon gjenialitetin e tij në matematikë, por njëkohësisht edhe problemet e tij emocionale.

Ky është subjekti i filmit “Good Will Hunting” interpretuar nga Met Deimën (Mat Demon) në rolin e Uillit dhe Robin Uilliams në rolin e psikologut. Me siguri që keni dëgjuar për njerëz që, ndryshe nga Uilli, edhe pse nuk janë shquar për ndonjë mprehtësi mendore, kanë arritur të kenë më shumë sukses në jetë, në krahasim me disa të tjerë shumë inteligjentë. Si është e mundur që një gjeni i tillë si Uilli të bëjë një jetë aq të rëndomtë?

“Pse disa njerëz duket se kanë një aftësi për t’ia dalë mbanë në jetë dhe disa të tjerë jo? Pse nxënësi më i mirë i klasës nuk bëhet më i sukseshmi në karrierë ose më i pasuri? Pse disa njerëz na pëlqejnë thjesht nga pamja dhe disa të tjerë na bezdisin edhe pa na bërë gjë? Cilat janë ato cilësi të mendjes ose të shpirtit që përcaktojnë se kush ka sukses në jetë?” Në hyrjen e artikullit të saj në revistën Time, tetor 1995, gazetarja Nensi Gibs, thoshtë: “Për pjesën më të madhe të viteve gjatë këtij shekulli, shkencëtarët kanë adhuruar hardwar-et e trurit dhe softwar-et e mendjes, kurse fuqitë e çrregullta të zemrës ua kanë lënë poetëve.”

Në fakt, deri në vitin 1995, zgjuarsia matej vetëm me IQ (Koficienti i Inteligjencës), por tani studimet tregojnë se IQ ndikon vetëm 20% në suksesin dhe rendimentin e dikujt, pjesa tjetër varet nga këmbëngulja, zotërimi i vetes, klasi i sjelljes, deri te fati. Pikërisht këtu hyn në lojë ajo që quhet Inteligjenca Emocionale ose EQ (Kofiçenti Emocional). EQ nuk ë shtë e kundërta e IQ-së. Inteligjenca Emocionale është një lloj tjetër zgjuarsie. Disa janë të bekuar me shumë nga të dyja, të tjerë s’kanë mjaftueshëm nga asnjëra.

Çfarë është Inteligjenca Emocionale?

Termi u bë i njohur në vitin 1990 nga psikologët Piter Selëvli (Peter Salovey) dhe Xhon Mejër (John Mayer), me të cilin ata nënkuptojnë “aftësinë e dikujt për të kuptuar emocionet e tij dhe të të tjerëve, dhe për ta përdorur këtë informacion për të drejtuar të menduarit dhe veprimet e veta”. Më pas, ai që e popullarizoi këtë koncept ishte gazetari që mbulonte shkrimet shkencore në gazetën “The New York Times”, Daniel Goleman, doktor i shkencave, kur botoi në vitin 1995 librin “Inteligjenca Emocionale: Pse ka më shumë rëndësi sesa Koeficienti i Inteligjencës IQ”?

Pse na prishin punë emocionet?

Shkencëtari Jozef LëDu (Joseph LeDoux) i Univeristetit të Nju-Yorkut botoi në vitin 2000 studimet e tij për “qarqet e shkurtra” në tru, të cilat bëjnë që emocionet të reagojnë përpara se të ketë mundësi të ndërhyjë intelekti. Këto zbulime u kanë dhënë rastin shkencëtarëve të tjerë të zhvillojnë teorinë e Inteligjencës Emocionale, për të mësuar vetëkontrollin. Në analizën e Dr. Golemanit, vetëndërgjegjesimi është aftësia më e rëndësishme, sepse na lejon që të praktikojmë vetëkontrollin. Këtu nuk është ideja që të shtypim ndjenjën, por të bëjmë atë që Aristoteli e konsideron puna e vështirë e vullnetit. “Gjithkush mund të nxehet dhe kjo është e lehtë,’’ – shkruan ai në librin Etika Nikomakeane. – “Por, të nxehesh me personin e duhur, aq sa duhet, në kohën e duhur, për qëllimin e duhur dhe në mënyrën e duhur, kjo nuk është e lehtë”.

Si t’i kontrollojmë emocionet?

Dr. Golemani citon studime që e kundështojnë urtësinë popullore “nxirre të gjithë zemërimin, derisa të çlirohesh”. Ato tregojnë se shprehja e zemërimit sjell më shumë zemërim, dhe kjo të çon në një cikël që në të vërtëtë e rrit fuqinë e tij. Shuarja e zemërimit vjen nëse ai menaxhohet. Trupit dhe mendjes duhet t’i jepet një mundësi të përpunojë adrenalinën që ka prodhuar zemërimi përmes një ushtrimi fizik, një teknike çlodhëse, një ndërhyrjeje në kohën e duhur. Këtu hyn në punë edhe këshilla e vjetër që të numërosh deri në 10. Sipas Dr. Golemanit EQ përbëhet nga katër aftësi themelore.

  1. Vetëndergjegjesimi është aftësia për të dalluar dhe kuptuar emocionet e tua.
  2. Vetëkontrolli është aftësia për ta përdorur këtë njohje (që fiton rreth emocioneve nga vetëndergjegjesimi) në atë mënyrë që të ndihmonë të drejtosh sjelljen tënde pozitivisht.
  3. Ndërgjegjësimi social është aftësia për të dalluar saktë emocionet te njerëzit e tjerë dhe për të kuptuar se çfarë po ndodh me ta.
  4. Menaxhimi i marrëdhënieve – është aftësia për të përdorur vetëdijen për emocionet e tua dhe të të tjerëve, me qëllim që të menaxhosh ndërveprimin dhe ndërkomunikimin me tjetrin, në mënyrë të suksesshme.

Që kur doli shpjegimi i Inteligjencës Emocionale kuptohet se pse, sipas studimeve, ata që e kanë Konficientin e Inteligjencës (IQ) mesatar ua kalojnë në 70% të rasteve për nga efektiviteti atyre që e kanë Konficientin e Inteligjencës më të lartë. Në botën e korporatave, sipas drejtuesve të personelit, IQ bën që të të marrin në punë, por EQ bën që të të rrisin në detyrë.

Kur Dr. Golemani pyeti drejtuesin e një kompanie të madhe në Amerikë se cilët ishin njerëzit e tij me më shumë efektivitet, ai u përgjigj duke thënë se nuk ishin ata me IQ më të lartë, por ata që ishin bashkëpunues, të shoqërueshëm dhe popullorë midis kolegëve të tyre. Këta të fundit e kishin më të lehtë të gjenin bashkëpunimin që kishin nevojë për të arritur qëllimet e tyre, krahasuar me ata që ishin gjeni të vetmuar. Është e qartë se Uilli në film ka një Koeficient Inteligjence të lartë, por një Inteligjencë Emocionale (EQ) shumë të ulët, për këtë arsye ai nuk arrin të ketë një punë të mirëpaguar. Kthesën në jetën e Uillit e bën takimi me psikologun.

Nëse do e krahasonim rrugëtimin e Uillit në bashkëbisedimet me psikologun, me fazat e sugjeruara nga Dr. Golemani, do të kishim si fillim ndërgjegjësimin për veten dhe për të tjerët rreth tij dhe pastaj fitimin e aftësive për menaxhimin e vetes dhe të marrëdhënieve. Në fund, Uilli ia doli. Ai zhvilloi Inteligjencën e vet emocionale dhe arriti të punësohej në një kompani shumë të mirë.

Inteligjenca Emocionale dhe morali

Aftësitë emocionale, ashtu si edhe ato intelektuale, janë moralisht neutrale. Një gjeni mund ta përdorë mendjen e tij për të kuruar kancerin ose për të prodhuar një virus tjetër vdekjeprures. Po ashtu dikush me aftësi të lartë empatike mund të frymëzojë miqtë e tij ose t’i shfrytëzojë ata.

Pra, të kesh IQ apo EQ të lartë, mund të të ndihmojë të bëhesh qytetar më i mirë, po aq sa edhe një kriminel brilant. Pa një busull morale që të drejtojë qëllimet, ato të dyja mund të përdoren për të mirë ose për të keq.

Pavarasisht rëndësisë së koefiçentëve Emocional apo të Inteligjencës, ne kemi po ashtu nevojë të rritemi në karakter, i cili bën të mundur marrjen e vendimeve të drejta dhe bërjen e gjërave të duhura.

Burimi: Unebesoj.org