Fondi i Lasgush Poradecit tashmë i aksesueshëm për të gjithë studiuesit

15
Lasgush Poradeci me Maria Poradeci (Gusho) dhe Kostandina.

Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave para disa vitesh i është dhuruar arkivi personal i poetit Lasgush Poradeci (Llazar Gusho) nga të bijat e tij, Marie dhe Kostandina Gusho.

Ky fondi personal i Lasgush Poradecit i dhuruar nga familja, mbas një viti proces restaurimi dhe përpunimi tashmë është i aksesueshëm për të gjithë studiuesit.

Arkivi personal i Lasgushit, përfshin mijëra fletë dorëshkrime, shtypshkrime, gazeta, revista, fotografi dhe kartolina, ftesa e telegrame, partitura, harta, kartëmonedha, certifikata, diploma, madje edhe dekorata e pulla poste.

Të gjitha këto ofrojnë një material të pasur të dorës së parë, për studiuesit e jetës dhe veprës së Lasgush Poradecit. Përmes dorëshkrimeve mund të kuptohet diçka më shumë rreth procesit krijues të poetit, studiuesit e letërsisë së krahasuar mund të kenë mundësi krahasimi variantesh.

Gjithashtu kuriozët mund të zbulojnë se çfarë gazetash, revistash shfletonte ai, me kë mbante korrespondencë, etj.