Hidhet shorti i Botërorit 2018, ja ndarja në grupe

594

Goglat e shortit përcaktuan që ndeshja hapëse e Botërorit të zhvillohet mes Rusisë dhe Arabisë Saudite, ndërkohë që rezervuan një “grup ferri” për Spanjën dhe Portugalinë, dy kombëtaret iberike që do të luajnë të parën përballje të grupit të tyre B.

Në grupin A, ku bëjnë pjesë organizatorët e këtij turneu do të jenë edhe Egjipti dhe Uruguaji.

Gjermania kampione bote në fuqi do të duhet të masë forcat me rivalë të konsideruar të lehtë në letër, pasi në grupi F do të ketë si kundërshtarë Meksikën, Suedinë që eliminoi Italinë dhe Korenë e Jugut.

Argjentina e Lionel Messit, finaliste e Botërorit të kaluar të Brazilit, do të ketë 4 kundërshtarë me tipare teknike të ndryshme, teksa do të përballet me Islandën, “hirushen” e Europës, sikurse edhe me Kroacinë dhe Nigerinë, me këtë të fundit që i mposhti me një përmbysje të bujshme nga 2-0 në 2-4 në miqësoren e zhvilluar pak javë më parë.

Grup i lehtë në letër edhe për “gjelat” e Francës, që shohin si kundërshtarin më të vështirë vetëm Danimarkën, ndërsa në grupin C do të kenë edhe Perunë e Australinë.

Panamaja, debutuesja e këtij Botërori, është radhitur në grupin e fundit G, aty ku do të sfidojë Belgjikën dhe Anglinë nga Europa, si dhe Senegalin nga Afrika.

Brazili do të ketë përballje të vështira, pasi përveç Kosta Rikës, do t’i duhet të triumfojë edhe përballë Zvicrës dhe Serbisë për të siguruar kualifikimin nga faza e grupeve.

Grupi A – Rusia, Arabia Saudite, Egjipti, Uruguaji.

Grupi B – Portugalia, Spanja, Maroku, Irani.

Grupi C – Franca, Australia, Peruja, Danimarka.

Grupi D – Argjentina, Islanda, Kroacia, Nigeria.

Grupi E – Brazili, Zvicra, Kosta Rika, Serbia.

Grupi F – Gjermania, Meksika, Suedia, Koreja e Jugut.

Grupi G – Belgjika, Panamaja, Tunizia, Anglia.

Grupi H – Polonia, Senegali, Kolumbia, Japonia.

Ceremonia zyrtare e hedhjes së shortit të Kupës së Botës, që do të zhvillohet verën e ardhshme në Rusi, u mbajt në pallatin presidencial të Kremlinit, në Moskë.

Në fillim të ceremonisë, nga një fjalë përshëndetëse kanë mbajtur presidenti rus Vladimir Putin, si dhe kreu i FIFA-s, Gianni Infantino.

Burimi: Top Channel