A keni zgjedhur punën e duhur?

280

rightjob-01

Kush është ai që të paktën një herë të mos i ketë bërë këtë pyetje vetes: A është kjo puna e duhur për mua? Shkojmë në punë gjithnjë e më të lodhur ose kthehemi në shtëpi pas një ditë të lodhshme, të stresuar e nervozë.
Pastaj nisin të shfaqen problemet e para në shëndet: migrena, ulcera, ankthi mund të bëhen pjesë e përditshmërisë sonë. Për meshkujt, stresi lidhet më shumë me ankthin për të bërë karrierë. Ndërsa për femrat, problemet më të zakonta lidhen me marrëdhëniet me kolegët, marrëdhënia me një shef autoritar e despot, rikthimi në punë pas lejes së lindjes, roli në shtëpi dhe në familje dhe së fundi, gjendja ekonomike. Guida e mëposhtme ju vjen në ndihmë të kuptoni nëse keni zgjedhur punën e duhur.

1. Nëse në mëngjes jeni gjithnjë të lodhur, me humor të keq dhe me zor çoheni nga krevati, është për shkak të asaj që ju pret në punë. Të punosh në një ambient armiqësor, shpesh perceptohet si një vend klaustrofobik, si një burg.
Lind pyetja: Ka ndonjë gjë që nuk shkon në zyrë apo është diçka tjetër?

2. Ndiheni gjithnjë në ankth? Keni vështirësi t’ju zërë gjumi në darkë dhe në mëngjes, para se të çoheni, mendoni gjithë punët që duhet të bëni? Të gjithë ne e përjetojmë ankthin, por kur ai i kalon limitet e normalitetit dhe nis të shndërrohet në dhimbje barku, migrenë, panik, në dhimbje stomaku, atëherë ka ardhur momenti që të ndalni, të bëni pak pushim dhe të ndryshoni jetën (në familje e në punë). Nëse keni gjithë këto probleme, trupi ynë do të na thotë diçka; është puna e duhur?
Duhet të theksojmë se puna e duhur ju bën të ndiheni mirë, ju jep kënaqësi, nuk jua merr frymën por, përkundrazi, ju jep frymë. Ju duhet të bëni disa ndryshime, si për shembull të shkoni te një psikoterapeut, të reduktoni orarin e punës dhe në fund, nëse është e nevojshme, të ndryshoni punë.

3. Pritshmëritë janë armiku ynë më i keq. Shpesh, në mënyrë të pavetëdijshme, jemi në presion të pritshmërive që prindërit, të afërmit apo miqtë kanë për ne. Pranojmë punë me prestigj, por që nuk na bëjnë të lumtur dhe që në të shumtën e rasteve, nxjerrin në pah anët më të këqija të karakterit tonë. Për femrat, është edhe dilema e madhe: punë apo familje?
Në fund të fundit pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është: Jetohet për të punuar apo punohet për të jetuar?

Burimi: Revista Monitor