Nobeli në Fizikë shkon për tre shkencëtarët ‘pionerë’ të lazerit, mes tyre një grua

124

Çmimi Nobel i vitit 2018 në Fizikë u është dhënë tre shkencëtarëve për shpikjet e tyre në fizikën lazer.

Shkencëtarët Arthur Ashkin, nga SHBA, Gerard Mourou nga Franca dhe Donna Strickland nga Kanadaja do të ndajnë së bashku çmimin e madh, i cili është rreth 770 mijë paund.

Doktori Ashkin zhvilloi një teknikë me lazer, e cila përdoret për të studiuar sistemet biologjike. Dy shkencëtarët e tjerë, Mourou dhe Strickland zhvilluan një mënyrë për të gjeneruar intensitet të lartë dhe impulse lazer shumë të shkurtra.

Një ditë më parë u dha Nobeli në Mjekësi, i cili u shkoi dy kërkuesve të rëndësishëm në luftën kundër kancerit. Amerikani James P. Allison dhe japonezi Tasuku Honjo arritën, sipas jurisë së çmimit prestigjioz në Stokholm, të vendosnin një gur të ri themeli në këtë betejë të gjatë e të vështirë.

Ata realizuan zbulime vërtet inovative, sesi mund të përdoret sistemi imunitar i njeriut për t’i luftuar vet qelizat kanceroze.