Si të Përgatisni në Shtëpi Llokume me Arra – Receta e Përsosur

9

Padyshim janë ndër ëmbëlsirat më fisnike shqiptare. Prej shekujsh me radhë llokumet janë shndërruar në një traditë e kuzhinës shqiptare, megjithëse origjina e tyre është kuzhina turke.

Me arra apo me shurup trëndafili këto janë dy mënyrat speciale të amvisave shqiptare në përgatitjen e llokumeve.

Mahnitëse e të plota në shije, llokumet qendrojnë në piedestalin e ëmbëlsirave tradicionale shqiptare

Nëse doni të përgastini diçka të veçantë për të dashurit tuaj, të gostisni miqtë dhe t’u shprehni atyre mikpritjen, ndiqni këtë recetë të thjeshtë të AgroWeb.org për të dhuruar vërtetë momente të ëmbla kënaqësie në familje.

Duhet vetëm pak durim e shumë dashuri në përgatitjen e këtyre ëmbëlsirave të vogla me arra dhe gjithçka brenda një ore është gati.

Përgatitja e Llokumeve me Arra Lehtë në Shtëpi

Përbërësit

  • 2 gota sheqer
  • 1 gotë ujë
  • 2 lugë gjelle me niseshte
  • 1 lugë kafeje me limontos (ose lengu i nje kokërr limoni)
  • 3 lugë gjelle sheqer pluhur
  • 2 lugë gjelle miell
  • 1 tas i vogël me arra të thërrmuara

Përgatitja  

Hedhim sheqerin dhe ujin në një tenxhere dhe i lëmë të zjejnë në një nxehtësi të ngadaltë derisa masa të shndërrohet në shurup të trashë.

Gjatë kësaj kohe, në një tas të vogël hollojmë më pak ujë niseshtenë derisa të shkrijë tërësisht. Pasi ka shkrirë e hedhim tek shurupi dhe më pas shtojmë limontosin.

Vijojmë të përzjejmë masën derisa masa të trashet plotësisht.

Në fund, AgroWeb.org u sugjeron që të shtoni arrat e thërrmuara dhe vijoni t’i përzjeni duke ulur edhe më tej nivelin e nxehtësisë.

Vijojmë të përzjejmë deri në momentin që masa nis të shkëputet nga anët e tenxheres.

Në këtë koment e heqim nga zjarri dhe e vendosim në një tepsi apo të tavë të spërkatur më parë me miell të situr nga të gjitha anët.

E lëmë të ftohet dhe të pushojë dhe ditën e nesërme e presim në kubikë të vegjël apo forma të tjera sipas preferencës.

Në fund e spërkasim pak sheqer pluhur. E servirim si gosti ndaj miqve apo për të ëmbëlsuar veten dhe të dashurit në familje.

/agroweb.org