Vazhdon intensivisht puna për rikualifikim urban të Shkëmbit të Kavajës

105

Vazhdon puna për rehabilitimin e zonës rezidenciale të plazhit të Shkëmbit të Kavajës, që është mjaft e frekuentuar gjatë gjithë vitit.

Projekti financohet nga qeveria shqiptare dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në kuadër të investimeve për zhvillimin e turizmit.

Hapësira në të cilën po punohet përfshin pjesën nga Përroi i Durrësit, që është edhe kufiri ndarës me Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Mbrojtjes deri në Njësinë Administrative Golem të Kavajës.

Rrugët dalëse në det, përfshirë edhe rrjetin e ujërave të zeza dhe të bardha, trotuaret dhe rrjeti nëntokësor i ndriçimit po ndërtohen nga e para.

Po ashtu projekti parashikon edhe krijimin e hapësirave urbane dhe të rekreacionit dhe shtimin e gjelbërimit. Qëllimi është të përmirësohet pejsazhi turistik, rritja e aktiviteteve për banorët dhe turistët, si dhe përmirësimi i shërbimeve që ofrohen në këtë zonë shumë të frekuentuar nga turistët.

Projekti ka parashikuar edhe ndërtimin e 3,500 metrave katrorë hapësira parkimi.

Janë rreth 25,000 banorë që do të përfitojnë nga ky investim, pa llogaritur këtu turistët e shumtë në sezonin veror.

Burimi: Fondi Shqiptar i Zhvillimit