7 mënyra se si ideja juaj mund të shndërrohet në kompani inovative

132

Marc Benioff është një ndër sipërmarrësit më të suksesshëm në sektorin e teknologjisë në nivel botëror. Z.Benioff na tregon 7 mënyra se si një ide mund të shndërrohet në njē kompani inovative:

1-Merrni kohën tuaj

Njëherë e një kohë, Benioff punonte për Oracle. Megjithatë ndiente nevojën për të ndryshuar. Të jepte dorëheqjen? Të merrte një drejtim tjetër tek Oracle? Të krijonte një shoqëri? Për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, mori një periudhë pushimesh, gjatë së cilës udhëtoi në Hawaii dhe në Indi, në kërkim të frymëzimit. “Kjo periudhë – shkruan Marc – ka qenë ndër periudhat më produktive në karrierën time. Mos kini frikë të merrni kohën tuaj kur keni nevojë. Mund të mësoni diçka që mund të ndryshojë rrugëtimin e jetës suaj”. Më pas Marc shkruan: “Ideja për të krijuar Salesforce më erdhi ndërkohë që po notoja mes delfinëve në Hawaii”.

2-Ëndërroni diçka të madhe

“Pashë një mundësi për të përmirësuar aplikacionet software B2B. Vizioni im ishte t’i bëja më të thjeshta për t’i blerë, më të lehta për t’i përdorur dhe më demokratike, duke eliminuar kompleksitetin në instalim, mirëmbajtjen dhe përditësimet e bezdisshme”. Me fjalë të tjera, në vend që të shiste software nëpërmjet CD-ROM, zhvillimi i të cilave kërkonte 6 – 18 muaj – dhe të bënte investime në hardware, Benioff mendoi që të shiste Software-as-a-Service nëpërmjet një modeli të njohur si cloud computing. Sot kjo gjë duket e mundur, por 15 vjet më parë dukej e pamendueshme. “Mendoni – thotë Marc – që kur nisëm të bënim këtë gjë, nuk kishim mbështetës në këtë industri, dhe as fjalët për të përshkruar revolucionin e computing që ne donim të bënim”.

3-Ndajeni idenë tuaj me pak njerëz të besuar dhe dëgjoni këshillat e tyre

Benioff ishte i bindur në potencialin e salesforce.com, por nuk ia kishte thënë askujt idenë e tij. Këtë ide e ndau me Bobby Yazdani, koleg në Oracle dhe themelues i Saba Software. Sipas Bobby, “gabimi numër një i sipërmarrësve është që i mbajnë idetë për vete. Nëse do ta ndanin, të tjerët mund ta ndihmonin që ta bëjnë realitet. Pasi Bobby e dëgjoi idenë e Marc, ai ia prezantoi atë Harris, Moellenhoff dhe Dominguez, tre zhvillues software që kishin themeluar shoqërinë e konsulencës Left Coast Software, të cilët e ndihmuan më pas Marc të bashkëthemelonin Salesforce.

4-Ndajeni idenë me njerëzit skeptikë dhe përgjigjuni me qetësi kritikave

Takimi me Parker Harris shkoi mirë dhe Marc e bindi në suksesin që do të kishte Salesforce. Por Harris duhet të bindte edhe bashkëpunëtorë të tjerë, mbi të gjitha më skeptikun, Dave Moellenhoff. Marc i shpjegoi gjatë takimit Moellenhoff avantazhet e idesë së tij dhe se si do ta revolucionarizonte ajo industrinë, duke iu përgjigjur me qartësi provokimeve të Dave. “Më pas Dave më thotë që donte të më vinte në provë për të vërtetuar se si do t’i kisha bindur njerëzit për idenë që kisha dhe si do të kisha reaguar ndaj komenteve negative”.

5-Përcaktoni vlerat dhe kulturën e kompanisë

Më 8 mars 1999, tre zhvilluesit së bashku me Benioff nisën aventurën e Salesforce në një dhomë në një apartament të cilin e kishin marrë me qira në San Francisko. Historia e Apple i kishte mësuar Marc që sekreti i kreativitetit është t’u japësh kënaqësi punonjësve të tu dhe t’i bësh të lumtur. “Doja që njerëzit që po krijonin Salesforce të ishin të kënaqur dhe të frymëzuar. Ndërtuam një kulturë thjesht duke bërë atë që na pëlqente. Vishnim bluza hawaiane për të futur shpirtin ‘aloha’ në kompani”.

6-Punoni mbi atë që është e rëndësishme dhe dëgjoni klientët tuaj potencialë

Ata e ndërtuan prototipin e parë të faqes web në një muaj. “Qëllimi ynë i përgjithshëm, siç u thamë zhvilluesve, ishte ‘ta bënim atë të shpejtë, të thjeshtë dhe të drejtë herën e parë’”. “Pikërisht si Amazon” – mendova. Më pas, Marc ftoi miqtë dhe kolegët që ta vizitonin në apartamentin e marrë me qira – laboratori siç i thoshte ai – për të testuar faqen web dhe për të marrë mendimet e para.

7- ‘Think Bigger’

Në verën e vitit 1999, Marc vendosi t’i kushtohet me kohë të plotë Salesforce që në atë kohë numëronte dhjetë punonjës dhe dy faqe web. Dhe ndërkohë shikonte kompani të tjera që rriteshin, si Hotmail, që ishte shitur për 400 mln dollarë në vitin 1997.

Burimi: Revista Monitor