Alpet shqiptare, hapet rruga hartimit të planeve të zhvillimit

822

Zona e Alpeve të Shqipërisë, por edhe lugina e Valbonës gjithnjë e më shumë po tërheqin vëmendjen e turistëve të huaj dhe shqiptarë. Zhvillimi i tyre shihet si një domosdoshmëri për të pasur një turizëm të qëndrueshëm, si dhe për të nxitur investimet vendase apo të huaja.

Pikërisht për këtë arsye Këshilli Kombëtar i Territorit në mbledhjen e fundit miratoi dy nisma të veçanta që ndërmerren për herë të parë: atë për hartimin e planit kombëtar sektorial në fushën e turizmit për rajonin e Alpeve Shqiptare, si hartimin e planit të detajuar për Zonën e Rëndësisë Kombëtare të Valbonës. Të dy projekte që vijnë me propozim të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe që pritet të realizohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Ato janë pjesë e programit të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor ( WBIF).

Në dokumentin për analizën e nismës në lidhje me projektin e zhvillimit të Alpeve Shqiptare, Fondi argumenton se planifikimi i territorit tashmë është domosdoshmëri për rajonin e Alpeve Shqiptare duke qenë se tashmë janë përcaktuar edhe politikat e përgjithshme të planifikimit të territorit në shkallë kombëtare.

Në këtë mënyrë i hapet rruga shfaqjes së interesit për të zhvilluar projekte në këtë zonë. Fokusi i masterplanit do të jetë vlerësimi i potencialit turistik të zonës së Alpeve dhe identifikimi i ndërhyrjeve të nevojshme në infrastrukturën dhe shërbimet publike.

Ky plan, pritet të shërbejë si një ‘ombrellë’ për të gjithë zonën malore, si dhe do të jetë e integruar me planet zhvillimore të bashkive që ndodhen në këtë rajon e që parashikohet të përfundojnë së hartuari gjatë vitit 2017.

Burimi: Revista Monitor