Filmi “Përrallë nga e kaluara”, në “Festival Lumiere” në Francë

6

“Përrallë nga e kaluara” një nga filmat më të bukur shqiptar do të shfaqet muajin që vjen në Francë.

Filmi me regji nga Dhimitër Anagnosti prodhim i vitit 1987 është përzgjedhur të jetë pjesë e seksionit Treasures & Curiosities i festivalit të filmit klasik, “Festival Lumiere”, në Lion, Francë.

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit (AQSHF) ka theksuar se një tjetër thesar i trashëgimisë filmike shqiptare prek audiencat europiane falë restaurimit.

Filmi “Përrallë nga e kaluara” do të mbajë tashmë logon Lumiere Classics, që promovon restaurimet më të mira të kohëve të fundit dhe mundëson rizbulimin e tyre nga një audiencë gjithnjë e më e gjerë.

Festivali i Filmit Lumiere mbahet çdo tetor në Metropolis të Lyonit, Francë, që nga viti 2009.

“Përrallë nga e kaluara” është ekranizim i komedisë “14 vjeç dhëndër” nga Andon Zako Çajupi. Dhimitër Anagnosti rrëfen historinë e martesës së Gjinos 14-vjeçar me Marigonë 28-vjeçare. Me ndihmën e të dashurit të saj, Trimit, Marigoja hakmerret me të gjithë ata që sajuan këtë martesë të pazakontë dhe në fund “mori atë që deshi”.

Një kast i mrekullueshëm aktorësh, garantoi suksesin e filmit. Në rolet kryesore kanë interpretuar Elvira Diamanti, Robert Ndrenika, Xhevdet Feri, Admir Sorra, Hajrie Rondo e Xhemil Tagani.

Ky film është fitues i çmimit “Aleksandër Moisiu” në vitin 1988 për skenarin, në 1990 mori çmimin e dytë në Festivalin e 8 të Filmit Artistik Shqiptar si dhe çmimin e dytë në Festivalin Ndërkombëtar të filmit të Europës Lindore në Bondy, Francë 1990.

/ata.gov.al