FOTOT/ Ndryshimi rrënjësor, brenda shtëpisë muze të shkrimtarit Sterjo Spasse

21

Nga një banesë e braktisur dhe e rrënuar, shtëpia e shkrimtarit Sterio Spasse në Gollomboç të Pustecit është shndërruar në një muze dinjitoz.

Një investim me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, qeverisë shqiptare dhe asaj të Maqedonisë të Veriut, por edhe falë punës dhe kontributit ekipit të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë tashmë shtëpia e shkrimtarit të njohur është e vizitueshme për të gjithë.

Brenda shtëpisë muze janë të vendosura dorëshkrime origjinale dhe vlerësime ndaj Spasses, portretet në laps e penel të shkrimtarit. Ndërsa mes objekteve, qëndron makina e shkrimit me të cilën shkrimtari i njohur i dha jetë disa veprave. Gjithashtu në këtë muze janë vendosur edhe objekte tradicionale të zonës, sikurse është veshja karakteristike.

Veprimtaria letrare e shkrimtarit Sterjo Spasse është e shumëllojshme. Shkroi punime pedagogjike, tekste shkollore, u mor me përkthime, shkroi artikuj të ndryshëm, monografi, tregime, romane, etj.

Veprimtaria e tij, sidomos ajo letrare, zë fill që nga vitet tridhjetë të shekullit të kaluar. Kjo ishte një periudhë në të cilën shkrimtari Sterjo Spasse u dallua me krijimet e veta, sidomos në fushën e tregimit dhe atë të romanit.

Botoi katër përmbledhje tregimesh: “Kurorë rinie” (1934), “Në krahët e një femre” (1934), “Nusja pa duvak” (1944) dhe “Të fala nga fshati” (1958) si dhe dhjetë romane: “Nga jeta në jetë – Pse!?” më 1935 – që mbahet si kryevepra e tij, “Afërdita” (1944), “Ata nuk ishin vetëm” (1952), “Afërdita përsëri në fshat” (1954), “Buzë liqenit” (1965), “Zjarre…” (1972), “Zgjimi” (1973), “Pishtarë” (1975), “Ja vdekje ja liri” (1978), dhe “Kryengritësit” (1983).

Redaksia e botimeve “Rilindja” i botoi në vitin 1968 një komplet veprash në tetë vëllime, ndërsa herë pas here ka botuar vepra të ndryshme. Më 1980-1985 iu botuan po ashtu në Tiranë botimi integral “Vepra”, me nëntë vëllime. Në vitin 1980 iu përkthye në anglisht romani “Zgjimi”.