FOTOT/Ura e Nivanit në Gjirokastër, monumenti që u ndërtua në fillim të shekullir XIX

8

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore sjell në kujtesë një nga monumentet ku ia vlen të ndalohet për ta parë. Bëhet fjalë për Urën e Nivanit në Gjirokastër. Ura gjendet në zonën e Zagorisë. Ajo cilësohet si “Monument i Trashëgimisë Kulturore” nën mbrojtje.

Ura e Nivanit u ndërtua nga Ali pashë Tepelena, në fillim të shekullit XIX. Ura ishte pjesë e rrugës së karvaneve tregtare që lidhte zonën e Gjirokastrës me atë të Përmetit.

Ura është e përbërë nga dy harqe: harku kryesor mbi rrjedhën e lumit dhe një hark më i vogël, mbi tokë, në njërën nga këmbët e urës. Këmba tjetër e urës ka një konstruksion masiv pa hapësira drite. Ura ka një gjatësi prej 34 m dhe është e gjerë 3,15 m. Ura është e mbuluar me kalldrëm.

Kjo urë i dha jetë në fillim të shek. XIX komunikimit jo vetëm tregtar, por edhe shpirtëror mes Gjirokastrës dhe Përmetit. Karvanet që vinin nga Gjirokastra kalonin mbi urën e Nivanit ndaleshin më pas në Manastirin e Nivanit, ndërtim i vitit 1777, vijonte në Nivan, Sheper në Qafën e Dhëmbelit e më pas në Përmet.

Sot, kjo urë përveç funksionit rajonal për kalimin e kafshëve dhe të njerëzve, është kthyer në objekt të vizitueshëm për historinë, kuriozitetin dhe arkitekturën e veçantë të saj.