FOTOT/ Zadrima, zemra e zejtarisë në Shqipëri

20

E njohur për prodhimin e kostumeve popullore dhe objekteve tradicionale karakteristike, Zadrima është shndërruar në një nga qendrat kryesore të zejtarisë në Shqipëri.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, përmes një studimi specifik evidentoi potencialin e artizanatit në këtë zonë që po shndërrohet në një burim të ardhurash për ekonomitë familjare dhe një bazë interesante edhe për eksportet.

Sipas MBZHR, punishtet e vogla po rrisin shitjet falë edhe numrit të madh të vizitorëve në njësinë agroturistike, teksa zinxhiri i vlerës duke përfshirë hallka të bujqësisë, blegtorisë, përpunimit dhe zejtarisë po zgjon një zhvillim shumë dimensional në këtë krahinë.

Studimi evidenton se, zejtaria në Zadrimë përbëhet kryesisht nga disa punishte të vogla, të cilat prodhojnë veshje tradicionale, çanta dore, perde, objekte zbukurimi të ndryshme me motive të vjetra popullore.

Produktet janë një kombinim midis tradicionales dhe modeleve moderne, të cilat po gjejnë treg shitjeje së fundi në pikat agroturistike të kësaj zone, duke u shndërruar në potenciale që tërheqin mjaft turistët dhe zgjerimin e tregut.

Ekspertët vlerësojnë se agroturizmi i kombinuar më zejtarinë, është shembulli më i mirë se si mund të nxitet zhvillimi i qëndrueshëm në zonat rurale.