Grupi folklorik “Bilbili”, turne kulturor në Zvicër dhe Francë

0

Grupi folklorik “Bilbili” i qytetit të Vlorës në bashkëpunim me shoqatën “Komuniteti Shqiptar në Gjenevë” ka zhvilluar një turne kulturor në Zvicër dhe Francë.

Drejtori artistik i këtij grupi, Sejmen Gjokoli tha për ATSH-në se “ky grup paraqiti vlerat artistike dhe historike të polifonisë shqiptare, si një nga format më të hershme të muzikës popullore në Ballkan, sot e mbrojtur nga UNESCO “Pasuri kulturore e njerëzimit”.

Sipas tij, në koncertet e zhvilluara grupi folklorik “Bilbili” interpretoi repertorin më të mirë të këngëve të vjetra tradicionale shqiptare që nuk kishin kufij, këngë të jugut, të veriut etj.

Gjatë këtyre ditëve grupi “Bilbili” zhvilloi dy koncerte zyrtare, një në Teatrin “Madelei” në Gjenevë dhe Kështjellën “Avully” të Francës, si dhe dy koncerte të përbashkëta me grupin “Hareja”, njërën pranë qendrës së Shoqatës “Iliria” dhe tjetra në qendrën e Ansamblit “Gëzuar”.

Gjatë qëndrimit në Gjenevë anëtarët e grupit “Bilbili” patën rastin të vizitojnë mjaft vende atraktive të këtij qyteti si Qendra Bërthamore Nukleare në Cern, qytetin e vjetër të Gjenevës, Shatërvanin e Liqenit, orën e famshme të qytetit etj.

“E veçantë e mjaft mbresëlënëse ishte vizita te busti i Skënderbeut, vendosur në lulishten e madhe buzë liqenit, pranë ish-godinës së OKB”, tha Gjokoli.

Grupi folklorik “Bilbili” radhitet sot ndër më të mirët në Shqipëri, por me një emër të spikatur edhe në skenat e vendeve të tjera. Dhe kjo, jo vetëm për vlerësimet, apo çmimet që ka merituar ky grup, në aktivitete kombëtare e ndërkombëtare të folklorit. Profili që ka krijuar, repertori i pasur, niveli dhe standardi profesional, mjaftojnë për ta vendosur atë në panteonin e vlerave më të mira të trashëgimisë kulturore.

Ky grup është krijuar në vitin 1994. Në themel të këngës të këtij grupi është polifonia labe e disa trevave të Labërisë. Është pjesëmarrës në disa festivale zonale e kombëtare si dhe në një sërë takimesh folklorike ndërkombëtare.

/ata.gov.al