‘Let’s Do It World’, shpall si më të suksesshmen në botë fushatën “Ta Pastrojmë Kosovën”

92

Kosova është shpallur vendi me organizimin më të suksesshëm të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” për vitin 2018 nga Let’s Do It World, në mesin e qindrave vendeve të botës që janë pjesë e kësaj Lëvizje Globale.

Në njoftimin e Let’s Do It World përmendet pjesëmarrja masive e qytetarëve të Kosovës në këtë Fushatë që zgjati për tre muaj rresht – duke filluar nga 15 shtatori, e deri sot (15 dhjetor) që po shënohet fundi i kësaj Fushate.

Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” përgjatë këtyre tre muajve iu bashkuan mbi 195 mijë vullnetarë, apo rreth 10.7 për qind e popullsisë së vendit.

Ekipi i Let’s Do It në Kosovë operon në kuadër të rrjetit të Let’s Do It World, ndërsa për punën e suksesshme të këtij viti do të shpërbehet me çmim nga kjo Lëvizje Globale, më 24 janar kur edhe mbahet Konferenca për pastrimin e botës, ku marrin pjesë përfaqësues nga 158 shtete të ndryshme.

Let’s Do It World përmend qindra aksionet që u organizuan në Kosovë në kuadër të kësaj Fushate, e cila këtë vit për dallim prej herëve të tjera u organizua në bashkëpunim me institucionet, si dhe është financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.