Nga Gjinari, te peizazhet frymëzuese të Funarit, Elbasani destinacion turistik që duhet vizituar

1

Elbasani ka shumë pika turistike dhe historike, që çdo turist nuk duhet t’i humbasë pa i vizituar.

Gjinari piktoresk, me malin e Bukanikut, ku dëbora shkrin në muajin korrik, është një vend malor turistik. Të shumtë janë turistët, të cilët shijojnë në çdo stinë freskinë alpine të maleve të Bukanikut, që nuk janë më tepër se 25 kilometra larg Elbasanit. Në Gjinarin turistik ka monumente të shumta kulturore mes tyre “Dushkun e Lleshanit”, Varri i Kostandin Shpatarakut, fragmente të rrugëve të vjetra me kalldrëm, etj.

Ndërsa Funari ndodhet 20 kilometra larg qytetit të Elbasanit. Vitet e fundit ai është kthyer në destinacionin e të apasionuarve edhe pas sporteve të aventurës.

Në Funar, veç bukurive që ofron natyra mund të ushtrohen sportet e aventurës si parashutizmi, kajakë në liqen, hipizëm, çiklizëm malor, ecje dhe ngjitje në shtigjet malore.
Funari është një zonë e pasur me pyje dhe me katër liqene apo rezervuarë, ku dy ndodhen brenda fshatit dhe dy të tjerë të fshehur pas maleve që e rrethojnë atë.

Deri pak kohë më parë, Funari ishte thuajse i harruar për nga vetë infrastruktura e amortizuar, pasi duheshin tri orë për rrugën që sot mund ta përshkosh për 1 orë. E pasur me pyje pishash dhe dushku, Funari ofron një klimë të shëndetshme që, nëse i shtojmë dhe gatimet tradicionale të zonës, bëhet vendi ideal për të kaluar fundjavën.
Por jo vetëm kaq, kjo zonë mund të jetë një destinacion edhe për të pasionuarit pas peshkimit.

/ata.gov.al