“South Outdoor Festival”, këtë vit në Borsh

180

I kthyer tashmë në traditë, festivali “South Outdoor” do të zhvendoset këtë vit në një nga fshatrat më piktoreskë të rivierës shqiptare, në Borsh.

Festivali fton në edicionin e tij të tretë në datat 26-29 prill pjesëmarrës nga vendi dhe më gjerë për të përjetuar 4 ditë të mbushura me aktivitete sportive e kulturore, muzikë, traditë, natyrë dhe kuzhinë tipike shqiptare.

Gjatë ditëve do të zhvillohen mjaft forume tematike. Mbrëmjet do të vijojnë me një maratonë me performancë muzikore “live”. Artistët pjesëmarrës janë grupi legjendar “Elita 5”, Alban Nimani, “All in Band”, Venera Lumani dhe Lindi Islami si dhe Urban Band.

Festivali “South Outdoor” është nismë e GIZ përmes programit “Zhvillimi i Qëndrueshëm i Zonave Rurale”.

Edicioni i parë i festivalit “South Outdoor” u zhvillua në Pilur, ku ishin të pranishëm rreth 3000 pjesëmarrës, nga të cilët 600 vetëm për aktivitetet sportive. Ndërsa në edicionin e dytë, të organizuar në fshatin bregdetar të Vunoit, numri i vizitorëve u dyfishua në 6000 vetë.