Tatimet: Nga shkurti nis funksionimi i ‘Qendrës së Thirrjeve’ për biznesin

249

Për çdo çështje që ka lidhje me administratën tatimore, individët apo edhe bizneset do të mund të marrin informacion përmes një qendre të dedikuar, e cila do të nisë të funksionojë nga muaji shkurt.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi se sipërmarrësit dhe qytetarët mund të marrin asistencë dhe informacion pa pagesë përmes Qendrës së Thirrjeve (Call Center). Ky shërbim ofrohet për herë të parë nga administrata tatimore.

“Duke telefonuar Qendrën e Thirrjeve, tatimpaguesit dhe qytetarët do të marrin asistencë në kohë reale për çështje që lidhen me administratën tatimore, pa qenë nevoja të prezantohen në sportelet e shërbimit të tatimpaguesve.

Shërbimi do të ofrohet me dy turne, nga e hëna në të enjte, prej orës 09:00-20:00 dhe të premten nga ora 09:00 deri në orën 16:00. Për të garantuar ofrimin e asistencës dhe informacionit të cilësisë së lartë është trajnuar një staf i dedikuar, si dhe janë aplikuar për herë të parë sisteme të avancuara operative për trajtimin e thirrjeve.
Qytetarët do të kenë mundësinë të përzgjedhin llojin e informacionit nëpërmjet shërbimit të përgjigjes automatike”, thuhet në njoftimin e DPT-së.

Për të parë reagimin e biznesit në lidhje me nevojat për këtë shërbim, tatimet ndërmorën anketime, ku më shumë se 60% e bizneseve deklaruan se preferonin të marrin shërbime me Call Center.

Kjo qasje e Tatimeve ndaj biznesit po vjen pas defekteve që shfaqi aksioni i fazës së parë antiinformalitet që u zhvillua në terren gjatë vitit të kaluar. Kthimi i marrëdhënieve në normalitet po testohet duke pyetur bizneset.

Burimi: Revista Monitor