Pika e re e grumbullimit në Librazhd, treg i sigurt për produktet bujqësore

3

“Kam koshere me bletë dhe prodhoj 6 kuintalë mjaltë në vit. Me ngritjen e Pikës së Grumbullimit, brenda 3 viteve shpresoj të zgjeroj aktivitetin tim edhe me 100 koshere me bletë”, thotë Dilaveri nga Librazhdi, i cili përmes bletëve siguron të ardhura për familjen e tij.

Në këtë prag pranvere, Dilaveri dhe 123 fermerë bletërritës në bashkinë Librazhd po presin me padurim prodhimin e ri dhe përfundimin e Pikës së Grumbullimit, e cila do të garantojë treg të sigurt për produktet e tyre.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ka në fokus të veçantë ngritjen e pikave të reja të grumbullimit që iu vijë në ndihmë fermerëve të vegjël në zona të ndryshme të vendit, për tregtimin e produkteve të tyre, por njëkohësisht u shërbejnë të rinjve si nxitje për të shfrytëzuar burimet natyrore, në mënyrë që të mos emigrojnë, por të përfshihen në aktivitete rurale që gjenerojnë punësim dhe të ardhura.

MBZHR në bashkëpunim me donatorët po punon fort edhe në bashkinë Librazhd, në ndërtimin e kësaj pike grumbullimi duke angazhuar edhe komunitetin në nisma të përbashkëta investimi që ofrojnë mbështetje të vazhdueshme për mbi 500 fermerë të zonës me trajnime dhe materiale ndihmëse që të zhvillojnë aktivitetet e tyre në bujqësi dhe blegtori.

Por, me rritjen e prodhimit fermerët hasin vështirësi me gjetjen e tregut për produktet e tyre. Në përgjigje të kësaj nevoje Ministria e Bujqësisë po përkrah iniciativën e bashkisë Librazhd për projektin e pikës së re të grumbullimit, si një alternativë e qëndrueshme zhvillimi për të rinjtë dhe komunitetet në Librazhd.

Ndërtimi i pikës së grumbullimi (Food Hub) në rrugën nacionale të Librazhdit, inkurajon fermerët të prodhojnë më shumë produkte, pa patur frikë se prodhimi i tyre shkon dëm duke krijuar një treg të përbashkët që shkurton distancën me zonat urbane.

Paralelisht Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural parashikon trajnimin e 360 fermerëve të zonës për rritjen e cilësisë dhe sasisë se produktit si dhe mundësisë për të patur kontrata shitje me Food Hub.

Ndërsa 12 pika shitje në zona jashtë Librazhdit do të identifikohen për shitjen e produkteve nga Food Hub.

Food Hub do të jetë pikënisja e lëvizjes për vetëpunësim në këtë zonë ku përmes angazhimit të të rinjve dhe fermerëve, kontratave të shitblerjes, certifikimit të produkteve të krijojnë mundësi për të gjeneruar aktivitete fitimprurëse.

Ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian në Shqipëri nëpërmjet programit (IPA) 2018 dhe zbatohet nga bashkia Librazhd.

/ata.gov.al