Biznesi familjar në Fushë-Arrëz punëson 40 punëtore gjatë sezonit të frutave të pyllit

2

Gjinovefa është një nga ato shumë gra që kanë guxuar të ngrenë sipërmarrjet e tyre private në sektorin e bujqësisë dhe agropërpunimit.

Biznesi familjar “Bjeshka” që drejton me bashkëshortin, arrin të sjellë të ardhura jo vetëm për familjen e tyre, por dhe shumë banorë të Fushë-Arrëzit.

Gjatë sezonit të frutave të pyllit, rreth 40 punëtorë, kryesisht gra të zonave rurale, angazhohen në grumbullimin, grupimin dhe eksportimin e boronicës, mjedrës, dredhëzave dhe frutave të tjera të egra.

Ajo tregon se fillimet e saj nuk kanë qenë të lehta. “Ndonjëherë më kanë bërë të ndihem edhe keq, por nuk dorëzohem. Jam bërë më e fortë, jemi krah njëri-tjetrit”, shprehet Gjinovefa, teksa tregon për zhvillimin e biznesit në të ardhmen.

Ajo thotë se, përmes mbështetjes nga Skema Kombëtare apo programi IPARD do të zgjerojë aktivitetin dhe do të rrisë standardet e cilësisë dhe sigurisë ushqimore përmes certifikimit të produkteve.

Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, mbështet promovimin e kontributit të grave dhe vajzave në ekonominë e vendit, dhe veçanërisht në sektorin rural, si një vlerë e shtuar për fuqizimin e grave në zonat rurale dhe agroturizmin.

“Sfida e sukseset si dhe fuqia e agroturizmit për të rivitalizuar fshatrat dhe prodhimet tona autentike po i jep një frymë të re zhvillimi zonave tona të thella rurale dhe kjo falë kontributit të grave dhe vajzave që po zhvillojnë këto sipërmarrje”, shprehen ekspertët e AZHBR-së.

/ata.gov.al