Tropojë, furnizim pa ndërprerje me ujë për 3 mijë banorë

11

Mbi 3 mijë banorë të bashkisë së Tropojës do të përfitojnë furnizim me ujë 24 orë në sajë të programit që po zbaton qeveria shqiptare.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit, zbatues i Programit “Furnizimi me Ujë të pijshëm i Zonave Rurale” III, në bashkinë e Tropojës po punon për skemën e furnizimit me ujë për 3156 banorët e fshatrave Astë, Kuçanë, Myhejan, Kasaj, Viçidol, Mejdan, Kojel, Shumicë, Babinë dhe Begaj.

Deri tani janë realizuar 16% të punimeve, ndërsa investimi në total është mbi 2.5 milionë euro. Ky investim përfundon në shkurt të 2020 dhe parashikon: Ndërtimin e linjës kryesore 14 km; Ndërtimin e linjës së shpërndarjes 54 km, të 6 rezervuarëve të rinj; Instalimin e 110 kasetave për 540 matës uji, instalimin e kutive për matësve kolektivë me kapacitet deri në 332 matës.