Vjosa n’Fest, promovim nismave turistike dhe kulturor nëpërmjet aventurës dhe kulinarisë

1

Përmeti u kthye për tre dite me radhe në epiqendër të aktiviteteve të shumta turistike, kulturore dhe artistike.

Projekti “Vjosa N’Fest” mikëpriti qytetarë të shumtë në datat 28, 29 dhe 30 prill me plot surpriza dhe evente maratonë për të festuar shpalljen e Lumit Vjosa Park Kombëtar.

Projekti “Vjosa n’Fest” organizuar nën kujdesin e Bashkisë Përmet dhe mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, kishte në fokus promovimin e nismave të  turizmit natyror dhe kulturor nëpërmjet aventurës, artizanatit dhe kulinarisë, si një strategji për ruajtjen e biodiversitetit përgjatë luginës së Vjosës, por edhe për zhvillimin e mëtejshëm të zonës.

Ky ishte edhe fokusi i këtij aktiviteti gjatë së cilës u zhvilluan aktivitete maratonë në disa qendra të ndryshme të qytetit të Përmetit.

Aktivitetet dedikuar fëmijëve u mbajtën gjatë këtij festivali të shoqëruar me muzikë animatorë dhe shumë lojëra argëtuese. Fëmijëve u dha mundësia të krijojnë balonat e tyre me mjete të riciklueshme si letër dhe shkopinj druri, të cilat më pas do pikturohen nga ata vet. Gjithashtu, për fëmijët u mbajtën edhe aktivitete të tjera argëtuese sic ishte edhe kampionati i shahut.

Sporte dhe aktivitete outdoor si rafting në lumin Vjosë shoqëruan përgjatë tre ditëve këtë aktivitetet turistik sikurse edhe trekking kulturor në kishën e shekullit XVIII të Leusës, hiking në Ujërat Termale të Bënjës, ecje në parkun kombëtar “Bredhi i Hotovës”, trekking në Grykën e Këlcyrës etj.

Balona e madhe me gaz, ishte pozicionuar në qendrën e qytetit duke u dhënë mundësi pjesëmarrësve që të shijojnë bukurinë e qytetit të Përmetit, gjatë ngritjes dhe uljes së komanduar.

Gjithashtu gjatë zhvillimit të aktivitetit Vjosa n’Fest u mbajt edhe panairi i artizanatit dhe kulinarisë, në sheshin e qytetit përballë godinës së bashkisë me stendat e organizuara dedikuar artizanatit dhe kulinarisë. Në këtë panair merrnin pjesë artizanë nga qyteti i Përmetit, Tiranës, Gjirokastrës dhe qyteteve të tjera.

Treva e Përmetit ofron bukuri të mrekullueshme natyrore që mbeten akoma të paeksploruara dhe ndër këto janë fshatrat piktoreskë të Lipës, Leusës e Lëshicës të cilat ndodhen në shpatet e malit të Dhëmbelit.

Lumi Vjosa është një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë. Ai hyn në territorin shqiptar në pikën kufitare të Tre Urave dhe përshkruan Bashkinë Përmet dhe Këlcyrë deri në pikën e bashkimit me lumin e Zagorisë dhe Lumin Drino të cilët i bashkohen Vjosës në territorin e Bashkisë Tepelenë dhe më pas vazhdon rrjedhën deri në grykëderdhjen e tij në detin Adriatik.

Shpallja e Lumit Vjosa Park Kombëtar është rezultat i një bashkëpunimi unik midis qeverisë shqiptare, ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, OJQ-ve mjedisore nga fushata “Save the Blue Heart of Europe”, IUCN (Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës) dhe kompanisë së veshjeve të jashtme “Patagonia”.

Vjosa dhe degët e saj kryesore derdhen lirshëm për mbi 400 kilometra, nga vargmali i Pindit në Greqi, ku quhet Aoös, deri në bregdetin e Adriatikut në Shqipëri. Lumi dhe zonat përreth tij janë ekosisteme të një biodiversiteti të konsiderueshëm dhe janë shtëpia e mbi 1 100 llojeve të kafshëve, duke përfshirë 13 lloje kafshësh dhe dy lloje bimore të vlerësuara si të kërcënuara globalisht nga IUCN.

Parku Kombëtar i lumit të egër Vjosa lehtëson zgjidhjet e sfidave me të cilat përballet lumi si ndotja e ujit dhe tokës, menaxhimi i mbetjeve dhe shpyllëzimi.

Me shpalljen e Vjosës Park Kombëtar të Kategorisë së Dytë, do të ofrohet mbrojtje sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, duke siguruar integritetin e saj ekologjik, duke lejuar që të ndodhin procese natyrore dhe duke mbështetur popullatat e të gjitha specieve.

Eko-turizmi në Vjosë dhe degët e saj është gjithnjë në rritje, veçanërisht vitet e fundit pasi të apasionuarit kanë filluar të shijojnë aktivitete të tilla si rafting, kanoe, kajak dhe not.

/ata.gov.al