57 mijë turistë në muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

1

Muzeu kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë gjatë këtij viti ka shënuar një fluks të lartë të turistëve vendas e të huaj.

Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi, tha sot për ATSH-në se “nga janari deri tani ky muze ka zgjuar kuriozitetin e 57 mijë turistëve vendas e të huaj, me një rritje prej 60% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”.

“Nga 57 mijë turistë, rreth 50% e tyre janë të huaj nga vende si Polonia, Italia, Spanja, Gjermania, SHBA, etj”, tha Hafizi.

Hafizi tha se “këtë vit në muze ka pasur një rritje të numrit të turistëve të huaj, por veçanërisht të atyre spanjollë. Për herë të parë, turistët nga Spanja përbëjnë dhe numrin më të lartë të vizitorëve të huaj në qytet, pazar dhe muzeun e Krujës”.

Sipas tij, vetëm gjatë muajit korrik ky muze u vizitua nga 11 500 turistë vendas e të huaj.

Në muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. Aty numërohen disa pavione si, pavioni i antikitetit dhe mesjetës së hershme, pavioni i principatave shqiptare, i pushtimit osman dhe përballimit të këtij pushtimi, pavioni i kështjellave mesjetare, i qëndresës shqiptare, kancelaria e Skënderbeut, biblioteka, salla e princave, e pinakotekës dhe së fundi pavioni i trashëgimisë dhe i jehonës.

Në këto pavione janë ekspozuar objekte prej qeramike, bronzi, hekuri, bakri, faksimile të ndryshme, ikona origjinale, shkrime, këmbana e vitit 1462, shpata origjinale të shekullit të XV, etj.

Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” u përurua më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës.

/ata.gov.al