“Alo 116”, linja ku adoleshentët mund të kërkojnë këshilla falas nga psikologët

192

Prej gati 10 vitesh, në vendin tonë ekziston Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijë, apo “Alo 116”.

Sipas studimit të fundit, numri më i madh i telefonatave të marra nga adoleshentë dhe fëmijë gjatë vitit 2018 kanë të bëjnë me bullizmin dhe shfrytëzimin për punë dhe lypje.

Por, sa orë funksionon kjo linjë? Telefonojmë menjëherë 116-111, që është Linja Kombëtare e Këshillimit. Një operatore përgjigjet se kjo linjë funksionon 24 orë, 7 ditë të javës. Numri merret drejtpërdrejt, pa prefiks dhe është pa pagesë.

Në të telefonojnë fëmijë e adoleshentë, nga veriu në jug të Shqipërisë.

Gjatë 10 viteve, “Alo 116” ka pritur rreth 700 mijë telefonata. Rreth 17 mijë çështje kanë marrë zgjidhje.

Shërbimi nuk përjashton prindërit, mësuesit dhe edukatoret. Operatorët janë të diplomuar për psikologji. Ata thonë se marrin shumë telefonata nga adoleshentë, që kërkojnë këshilla praktike që nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme, e deri si të heqin dorë nga droga.

Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijë, “Alo 116” trajton raste që nga diskriminimi, abuzimi seksual, dhuna fizike e psikologjike, fëmijë që harrohen nga prindërit për orë të tëra në shtëpi, deri te ndihma për adoleshentë që duan të heqin dorë nga duhani.