Baleti “Arrëthyesi”, edhe për personat me shikim të kufizuar

2

Produksioni i ri “Arrëthyesi”, që do të vijë në skenën e TKOB, për të parën herë në Shqipëri do të jetë e mundur të ndiqet edhe nga njerëzit me shikim të kufizuar, nëpërmjet audio-përshkrimit. Shfaqja  do të jepet për 3 net radhë, por përshkrimi zanor do të ndodhë gjatë premierës së shfaqjes, më 22 dhjetor.

Për njerëzit me shikim të kufizuar hyrja në sallë behët 50 minuta para nisjes së shfaqjes. Gjatë kësaj kohe përshkruesi do të ndajë më shumë detaje nga historia e mrekullueshme e “Arrëthyesit”. Gjithashtu do të realizohet një tour i cili do t’iu mundësojë një kuptim më të thellë të “Arrëthyesit”. Ndërsa do të dëgjojnë përshkrimin e skenës, personat me shikim të kufizuar do të kenë mundësinë të prekin edhe disa pjesë të kostumeve dhe do të njihen me detaje nga historia dhe personazhet.

Biletat për përformancën me audio-përshkrim janë falas për personat e pajisur me librezën e Statusit të të Verbërit dhe shoqëruesit e tyre.

Përshkrimi zanor në kohë reale, bëhet i mundur falë bashkëpunimit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit me United Nations Association Albania si pjesë e Programit “Art nexus programme”.

Folësi është specializuar në interpretimin vizual të shfaqjes i cili sjell në jetë përformancën në sytë e mendjes, me përshkrime të gjalla të lëvizjes së balerinëve si dhe aksionit dhe dramës që ndodh në skenë.

“Arrethyesi” është emblema e shfaqjeve të fundvitit pasi është materializimi i magjisë që përcjellin festat.

/ata.gov.al