Fermerët, investime për uljen e riskut nga dëmtimet atmosferike

1

Prodhimtaria e pemëve frutore në vendin tonë, është një tjetër sektor me rëndësi në fushën e bujqësisë, ku është shtuar vëmendja e fermerëve vitet e fundit.

Sipas statistikave nga MBZHR në vendin tonë kultivohen rreth 14.7 milionë rrënjë pemë frutore me një prodhim total mbi 296 mijë tonë, 11 milion hardhi me një prodhim prej 128,356 tonë dhe 1.7 milionë rrënjë agrume me një prodhim prej 55,118 tonë.

Ekspertët e bujqësisë, vërejnë se prodhimi i drufrutorëve ndryshon nga viti në vit dhe ky tregues varion në funksion të faktorëve të ndryshëm, përfshirë kushtet klimatike, investimet, teknologjinë dhe aftësinë e fermerëve.

Sot, përballimi i ndryshimeve klimatike me ndikim në prodhimin bujqësor, mbetet një sfidë e rëndësishme për fermerët.

Fermerëve ndër vite u është ardhur në ndihmë për mbrojtjen dhe prodhimin, falë skemave mbështetëse të ofruara për ta, ndërsa ekspertët e bujqësisë sugjerojnë si një zgjidhje tjetër alternative edhe sigurimin e fermave pranë një kompanie sigurimi, e cila merr përsipër dëmshpërblimin në rast të dëmtimit nga fenomenet natyrore

Por sot përdorimi i rrjetave antibreshër lejon fermerët që të mbajnë një furnizim të vazhdueshëm në treg duke ulur rrezikun e humbjes së prodhimit, siguron rritjen e cilësisë, minimizimin e demit, uljen e shpenzimeve agroteknike, etj.

Kështu fermerët në Korçë, Lushnjë, Sarandë dhe Vlorë kanë shtuar investimet në mbrojtjen e prodhimit bujqësor nga risku klimaterik.

Sipas të dhënave nga drejtoritë e Bujqësisë, në total në këtë qarqe mbi 40 % e fermerëve kanë investuar krahas zgjerimit të pemëtoreve edhe në rrjetat antibreshër, për menaxhimin e riskut klimaterik në bujqësi.

/ata.gov.al