Foto/ 5 destinacione për t’u vizituar në Pukë

2450

E transformuar nga themelet, Puka është shndërruar në një destinacion të ri turistik. Dhe jo vetëm për qytetin. Shpellat e famshme jo larg saj, majat e maleve dhe shtigjet, hanet dhe ushqimi i mirë, uji dhe ajri i pastër janë arsye që të drejtojnë me kënaqësi drejt verilindjes.

5 destinacione për t’u vizituar

Ku dua të shkoj:

Po ta shohësh nga lart qyteti shtrihet në një pllajë të vogël, një majë e prerë 838 metër mbi nivelin e detit dhe ajo çka e bën të veçantë Pukën është masivi i pishave, 400 hektarë, që i vjen përreth dhe tre majat: e Krabit, Tërbunit dhe Munellës që e rrethojnë nga të gjitha anët. Ç’ka e bëjnë qytetin e Pukës një destinacion perfekt për alpinizëm, për turizmin e natyrës dhe të aventurës. Pista natyrore e skive që ngrihet në jug të qytetit pritet ta kthejnë atë shumë shpejt në një atraksion dimëror, të ngjashëm me simotrat e veta në Ballkan.

Ndërsa 85 shpellat e famshme të Pukës përbëjnë sfidën e re dhe ambicien e kryetarit të bashkisë, Gjon Gjonaj për t’i shndërruar në atraksione të reja, lehtësisht të arritshme, që pritet ta vënë në një tjetër piedestal për nga numri dhe interesi i vizitorëve qytetin e vogël. Vetëm 138 km larg kryeqytetit, nëpër një rrugë pjesërisht të re dhe pjesërisht të mirëmbajtur, Puka ka shumë për ofruar.

1- Liqeni i qytetit

Vizita mund të nisë nga vetë qyteti. Me një popullsi prej 6000 banorësh, Puka shquhet për ajrin e pastër, qetësinë dhe muzikën e pishave të zeza kur preken nga era.

Pylli i pishave vazhdon përreth në një sipërfaqe prej 400 hektarësh. Vendi i parë për tu eksploruar është liqeni (qyteti ka dy të tillë), i sistemuar me vende pushimi mes bredhave të lartë, prej nga mund të ngjitesh në Kodrën e Hanit për të eksploruar pistën natyrore të skive apo livadhet që nuk ndodhen larg qytetit. Puka shërben edhe si bazë për ushtrimin e alpinizmit (Puka ka një ekip alpinizmi),  në Malin e Munellës dhe bjeshkët e Tërbunit.

2- Qyteti i Migjenit

I rikthyer në qytet 80 vjet më pas, si formë e një identiteti kulturor, shtatorja e Millosh Gjergj Nikollës (Migjeni) ngrihet krenare në qendër të qytetit. Dhe jo rastësisht. Puka është pazgjidhshmërisht e lidhur me poetin e mjerimit dhe dy thesare që duhen zbuluar janë edhe muzeu i Migjenit dhe ai etnografik i zonës.

Në muzeun e poetit (gjithashtu në plan rikonstruksioni), tregohet jeta dhe vepra e tij ndërsa ekspozita etnografike të orienton në disa nga vendet historike të zonës, të cilët renditen krahas monumenteve të shumta natyrore. Traditat e bukura të malësorëve në këto treva vijojnë të mbeten ende gjallë, shpirti burimor e folklorik transmetohet brez pas brezi si një vlerë e shtuar e këtyre anëve.

3- Një vizitë në Malin e Tërbunit

Ngrihet krenar në jug të qytetit, në një lartësi prej 1500 metër mbi nivelin e detit. Mali  i Tërbunit është i pasur me pisha, ah dhe lis të ndërthurura, që jep një peizazh të këndshëm për syrin dhe për ata që e duan natyrën. Gjatë ngjitjes mundësitë e ndalimit janë tek krojet me ujin e kristalte të kësaj bjeshke si dhe mrizet. Nga maja e Tërbunit mund të soditet qyteti dhe dy liqenet e tij.

4- Itinerari Pukë – Qelëz – Liqeni i Komanit – Shpella e Murgjve (Kaurrit)

Mund të përshkohet me makinë, biçikletë dhe varkë. Është një destinacion i lakmueshëm për ata që duan turizmin e aventurës që si ndalesë të parë ka fshatin Qelëz e më pas ngjitje deri ne liqenin i Komanit.

Një shëtitje në liqen nuk ka të krahasuar me asgjë tjetër në atë zonë, por e veçanta e këtij turi është shpella e famshme e Kaurrit që ndodhet afër fshatit Lëvrushk, në malin e Kollatës.

Veçantia e saj është mbivendosja e gurëve njëri mbi tjetrin si dhe bimësia e shumëllojshme gjithëvjetore që lulëzojnë në shkëmb dhe krijojnë një pamje mahnitëse. Shpella karstike, me stalaktite dhe stalagmite, është e gjatë 80 m, e gjerë nga 1 deri 5 m dhe e lartë 3 deri 8 m. Në hyrje të saj ndodhet një manastir Asketësh i periudhës VI-IX. Shumë pranë kësaj shpelle ka kaluar dikur rruga që lidhte Shkodrën me  Prizrenin.

5- Shkëmbi i Zanave (Mrizi i Zanave)

Ndodhet në drejtim të kundërt, nga fshati Qerret i Pukës, me ndalesë të parë një krua tipik uji dhe përfundon tek Shkëmbi i Zanave, në një lartësi 680 m mbi nivelin e detit. Aty ndodhet shpella, mulliri si dhe mrizi po me të njëjtin emër.

Brenda saj dëgjohen zhurma karakteristike të ujërave nëntokësor, që me kalimin e shekujve kanë ardhur si gojëdhëna të “jehonës së zanave” prej nga ka marrë edhe emrin “Mulliri i Zanave”.

Nga Alida Cenaj