FOTOT – VROJTIMI I GJELËZËS SQEPHOLLË NË LIGATINËN SEKTOR-RINIA, DURRËS

13

Zona e Sektor-Rinia përfaqëson një nga ligatinat më të rëndësishme të vendit tonë për folezimin, dimërimin apo shtegtimin e llojeve të ndryshëm të shpendëve.

Pak ditë më parë, në këtë Zonë të Rëndësishme për Shpendët dhe Biodiversitetin (IBA), ekipi i PPNEA vrojtoi dy individë të gjelëzës sqephollë (Phalaropus lobatus), që përbën vrojtimin e dytë të këtij lloji në Shqipëri, në dijeninë tonë. Vrojtimi i parë i gjelëzës sqephollë është regjistruar në vitin 2014 në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë- Nartë, gjatë monitorimit të shpendëve shtegtues të realizuar nga PPNEA dhe Shoqata Bullgare për Mbrojtjen e Shpendëve.

Gjelëza sqephollë folezon në arktik, në mjedise të ulëta kënetore, në liqene të cekët, apo edhe në tundra. Në Evropë, duke përfshirë edhe gadishullin e Ballkanit, ky lloj mund të vrojtohet shumë rrallë përgjatë shtegtimit në sezonin e vjeshtës, kryesisht në mjedise bregdetare apo këneta.

Pavarësisht rëndësisë së jashtëzakonshme që zona e Sektor-Rinia ka për rrugën e shtegtimit përgjatë Adriatikut Lindor dhe biodiversitetin në Shqipëri, ajo ende nuk gëzon një status ruatjeje, si dhe vazhdimisht gjendet nën presionin e vazhdueshëm të investimeve zhvillimore.