Frymëzuese/ Njihuni me saldatoren që punon prej 38 vitesh tek Metalurgjiku

101

Profesioni saldator është parë gjithë si një profesion mashkullor, por në Shqipëri duket se ka ende gra që e zotërojnë. Një prej tyre është edhe Hamide Glaceri.

60-vjeçarja është ndër saldatoret më të vjetra të Metalurgjikut të Elbasanit. Ndonëse sot shumica e uzinave janë privatizuar, Hamideja nuk ka hequr dorë nga profesioni.

“Çdo gjë që shikoni ju këtu në lidhje me rezervuaret, hyrja dhe dalja e tubacioneve është bërë nga unë. Saldimi i tubave, saldimi i fllanxhave dhe çdo gjë tjetër është bërë nga unë dhe jam shumë krenare. Këtë proces pune unë e kam filluar që në vitin 1975. Kam punuar në montim për 16 vjet, pastaj në nikel-kobalt, rimont dhe pasi u mbyll gjithçka kalova në një firmë private ku vazhdoj akoma.

Gra që merren me këtë punë ka patur shumë, por punimet me oksigjen rrallë i bëjnë sepse ka presion. Të gjithë luftojnë të kenë një punë të mirë nëpër zyra, por mua më pëlqen ky profesion. Kujdesem shumë për veglat e punës dhe i dua. Gjatë gjithë jetës profesionale nuk më ka ndodhur asnjë aksident. Edhe pse sot jam pensioniste unë vazhdoj të punoj në lartësi pa asnjë problem. Të jesh saldatore është profesion shumë i vështirë, nuk është profesion për femra”, tha Hamide Glaceri.