Gati ndërtimi i hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës, BERZH shpall kompaninë fituese

18

Finalizohet procesi përzgjedhës për kompaninë që do të ndërtojë hekurudhën Tiranë-Durrës, me degëzim në Rinas, duke i hapur në këtë mënyrë rrugë nisjes së punimeve për këtë vepër të rëndësishme dhe të shumëpritur prej vitesh.

Në faqen zyrtare, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka publikuar emrin e kompanisë, e cila është shpallur fituese për ndërtimin e kësaj linje hekurudhore, ndërsa  jep edhe detaje sa i takon ofertave të paraqitura nga kompanitë pjesëmarrëse në këtë garë.

Sipas njoftimit të BERZH, kompania italiane INC S.P.A, e cila paraqiti ofertën më të ulët në shumën 69.7 milionë euro u shpall fituese dhe do të ndërtojë linjën hekurudhore. INC S.P.A është një ndër kompanitë kryesore në Itali në fushën e infrastrukturave të mëdha. Ndërkohë në garën ndërkombëtare që u zhvillua, kompania TS-KALPATARU (KPTL) J.V ofroi 92.29 milionë euro dhe kompania SINOHYDRO- EEB J.V.A paraqiti ofertën prej 92.53 milionë euro.

I gjithë procesi për përzgjedhjen e kompanisë fituese u bë në bashkëpunim të ngushtë mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Në fazën e parë të tenderit, e cila konsistonte në paraqitjen vetëm të propozimit teknik, paraqitën ofertat e tyre 6 kompani, propozimet e të cilëve u vlerësuan nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në bashkëpunim me konsulentin e BERZH “Ardanuy“.

Projekti për hekurudhën Tiranë-Durrës parashikon që krahas ndërtimit të një linje të re për në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, edhe modernizimin e linjës ekzistuese Tiranë – Durrës nëpërmjet përmirësimit të karakteristikave gjeometrike dhe operacionale të vijës hekurudhore në përputhje me standardet e BE-së.

Projekti i rehabilitimit të hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimit të zgjatimit të ri në Rinas është pjesë e Axhendës së Konektivitetit, që synon lidhjen mes rajonit e më gjerë me Europën, dhe në kuadër të Nismës së Berlinit, projektet që kualifikohen mund të tërheqin grante dhe financime nga donatorët.