IPARD II, 5.2 milionë euro investime në agroturizëm

14

Programi IPARD II, financon 65 % të vlerës për investime në agroturizëm që shkojnë nga 10 mijë deri 400 mijë euro.

“Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i biznesit” ose siç njihet ndryshe “agroturizëm”, është një prej masave që do të vijojë të mbështesë programi IPARD II, në mbështetje të bujqësisë edhe në thirrjen e katërt të aplikimeve që është hapur më 10 janar e vijon deri më 25 shkurt 2022.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, njofton se, programi IPARD II, adreson një buxhet total prej 5.2 milionë euro në këtë thirrje.

Përqindja e mbështetjes me fonde publike është 65 % e totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit, për projekte që kapin vlerën e financimit me një minimum vlere 10 000 euro dhe maksimum investimi 400 000 euro, për ndërtimin apo rikonstruksionin e objekteve ekzistuese sipas modelit tradicional që ato kanë, në përputhshmëri me karakteristikat e zonës.