Jeni gjumashë? Ja pesë mënyra sesi të zgjoheni herët në mëngjes

41

Imagjinoni të zgjoheni në orën 5 të mëngjesit, të pushuar mirë dhe të gatshëm për të nisur ditën edhe pse Dielli ende nuk ka lindur. Por zgjimi herët, nuk është gjithmonë kaq i thjeshtë për çdo njeri, madje mund të themi se shumica prej nesh shkojnë me vonesë në shkollë, punë, apo dhe në ndonjë takim, pikërisht sepse duan të flenë dhe pak më shumë në mëngjes. Por si mund ta bëjmë zgjimin në mëngjes sa më pak të vështirë?

Hapi i parë, është të nisni të ndryshoni rutinën tuaj të zgjimit hap pas hapi. Pra, nëse zakonisht zgjoheni në orën tetë, filloni të zgjoheni çdo ditë 15 ose 20 minuta më herët. Nëse do të zgjoheni për çdo ditë që në orën 5 të mëngjesit, nuk do të mund të përshtateni dot menjëherë dhe do të hiqni dorë shpejt nga ky ndryshim.

Së dyti, për të ndihmuar më shumë veten përgjatë kësaj sfide, mund të shkoni në shtrat më herët, në mënyrë që të flini më shpejt dhe të ngopeni sa më shumë me gjumë. Nëse nuk jeni të lodhur dhe rrjedhimisht nuk keni as gjumë, të paktën futuni në shtrat dhe lexoni derisa të lodheni, por asnjëherë mos përdorni mjete teknologjike përpara se të flini, pasi drita e tyre thjesht vonon procesin e gjumit.

Së treti, ju rekomandojmë të hani mëngjes. Të ngrihesh më herët, do të thotë njëkohësisht ta nisësh aktivitetin fizik dhe atë mendor më herët se sa ditët e tjera. Ndaj këshillohet, që një mëngjes i mirë të mos anashkalohet, pasi ju duhen energji për të përballuar ditën dhe mos të humbni përqendrimin.

Së katërti, është thelbësore që të vendosni alarmin që do ju zgjojë në mëngjes sa më  larg shtratit tuaj, pasi nëse do të ngriheni nga krevati, dhe do të lëvizni nëpër dhomë për ta fikur atë, ju keni më pak probabilitet që të shtriheni sërish në shtrat dhe t’ju zërë gjumi sërish.

Dhe së fundmi, mos prisni që ky ndryshim të jetë i thjeshtë! Mos hiqni dorë, që pas mëngjesit tuaj të parë..Ju mund t’ia dilni!