Nesër fillon rehabilitimi i aksit Vorë – Rinas– Fushë-Krujë

249

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe Policia e Qarkullimit Rrugor bëjnë të ditur se, ditën e enjte (datë 13 shtator 2018), do të fillojnë punimet për rehabilitimin e aksit Vorë – Kthesa Rinas – Fushë-Krujë, në kuadër të projektit të mirëmbajtjes me performancë të Bankës Botërore.

Punimet kryesore të cilat janë parashikuar gjatë fazës së rehabilitimit të këtij aksi rrugor janë prishja e shtresave ekzistuese asfaltike; zëvendësimi i nënshtresave në çakëll dhe stabilizantë; realizimi i të gjitha shtresave të reja asfaltike në të gjithë gjatësinë e rrugës dhe vendosja e sinjalistikës rrugore dhe e masave të sigurisë rrugore.

Nga dita e nesërme do të bëhet bllokimi i aksit nga Kthesa e Doganës së Tiranës deri tek kthesa për Prezë.

Kohëzgjatja e punimeve për rehabilitimin e segmentit nga Kthesa e Doganës së Tiranës deri te kthesa për Prezë është 45 ditë.

Segmenti do të jetë i bllokuar për të gjitha mjetet gjatë periudhës së kryerjes së punimeve.

Dogana e Tiranës do të jetë e aksesueshme nga ana e Vorës.

Devijimi i trafikut do të bëhet sipas sinjalistikës provizore të vendosur në segmentin ku do të punohet, si dhe nga udhëzimet e policisë.