Njihuni me Armelën, fermerja që kultivon 3 hektarë luleshtrydhe

9

Luleshtrydhet kanë nisur të zënë vendin e tyre në tregun e frutave shqiptare që shkojnë për eksport. Luleshtrydhet “Made in Albania”, falë cilësisë natyrale, po bëhen gjithnjë e më të kërkuara jo vetëm për konsumatorët vendas, por edhe në tregjet e rajonit dhe BE-së.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural solli sot shembullin e Armela Trokës, 45-vjeçares nga fshati Kafaraj i Fierit, si modelin e fermeres që ka krijuar një sipërmarrje të suksesshme në prodhimin e luleshtrydheve cilësore.

“Luleshtrydhja është një bimë me naze që pranon vetëm ujë”, shprehet Troka.

Ajo tregon se, prej 8 vitesh kultivon luleshtrydhen dhe zona në Kafaraj të Fierit ka kushte të mira kultivimi.

“Ne prodhojmë dhe nuk kemi probleme me tregun”, thotë ajo.

“Kultivojmë një sipërfaqe pre 3 hektarë luleshtrydhe e cila shitet me çmim të kënaqshëm”, shprehet Toska.

Kultivimi i luleshtrydhes, vitet e fundit ka marrë shtrirje në shumë zona të vendit. Fillimisht rreth vitit 2018, luleshtrydhet janë mbjellë masivisht vetëm në qarkun e Fierit. Më pas gjeografia e prodhimit të frutit të ëmbël përfshiu edhe rrethin e Lushnjës, që ishte e dyta pas Fierit me 14% të prodhimit, ose e shprehur në peshë, ky qark prodhoi 391 tonë luleshtrydhe.

Në qytetet e tjera prodhimi i luleshtrydhes arrin në 15 tonë në Durrës, 5 tonë në Dibër dhe 3 tonë në Elbasan.

Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, vitin e fundit, në rrethin e Fierit u mbollën 121 ha me luleshtrydhe dhe u prodhua 436 kv/ha, ndërsa eksportet u rritën në mbi 2500 tonë në vit.

I gjithë qarku i Fierit ka prodhuar më shumë se 5 mijë tonë luleshtrydhe vitin e fundit, të cilat kanë shkuar për konsum vendas, eksport dhe përpunim (kryesisht për reçel), sipas fermerëve.

Fermerët e zonës Kafaraj në Fier, ku kultivohet ekskluzivisht luleshtrydhja, shprehen se viti 2022 ishte një vit i mirë, për prodhimin dhe eksportin e luleshtrydhes ku u shënuan shifrat më të larta, ndërkohë që sezoni i tyre edhe për këtë vit shihet mjaft optimist.