Njohja e pensioneve, lajm i mirë për shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës

25

Marrëveshja e firmosur në fund të vitit 2021 mes Shqipërisë dhe Kosovës për njohjen e sigurimeve shoqërore i hap rrugën krijimit të një tregu të përbashkët pune.

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, për sigurimet shoqërore.

Në bazë të marrëveshjes, qytetarët e të dy vendeve do të mund të përfitojnë nga përfitimet që merren në raste të aksidenteve në punë për ata që janë të punësuar, si dhe nga pensionet e pleqërisë, të invaliditetit apo pensionet familjare në të dyja vendet.

Vitet e fundit numri i të punësuarve është rritur, si i shtetasve shqiptarë që punojnë në Kosovë, ashtu edhe i shtetasve të Kosovës që vijnë e punojnë në Shqipëri. Kjo marrëveshje lehtëson akoma më tej procedurat, njeh periudhat e sigurimit të tyre, me qëllim që qytetarët nga të dy vendet të mund të përfitojnë.

Marrëveshja bashkon të gjithë periudhat e punës, pavarësisht se ku kanë punuar individët dhe i konsideron si të ishin kryer në Shqipëri. Nga kjo marrëveshje parashikohet të përfitojnë rreth 2000 qytetarë.

Shqipëria ka aktualisht marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të pensioneve me Hungarinë, Çekinë, Gjermani, Maqedoninë e Veriut, Luksemburgun, Bullgarinë, Austrinë, Turqinë, Zvicrën dhe Belgjikën.

Procesi i njohjes së pensioneve është në avancim edhe me shtete si Kanadaja e Bullgaria.

Ndërkohë me Italinë, kreu i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Eduart Shalsi bëri të ditur se është rënë dakord në parim për miratimin e një marrëveshje.

Bisedimet vijojnë edhe me Greqinë, dy vende këto ku jetojnë e punojnë numri më i madh i shqiptarëve jashtë vendit.

Nga njohja reciprokeve e sigurimeve shoqërore, përllogaritet se do të përfitojnë rreth 100 mijë qytetarë. Këto marrëveshje dypalëshe sigurojnë mbrojtje shoqërore për qytetarët shqiptarë që jetojnë në këto vende.