Pedonale dhe korsi për biçikleta. Shihni si është transformuar Syri i Kaltër

48

Ndryshimi në Syrin e Kaltër është mahnitës. Këtë vit vizitorët do të gjejnë pedonale dhe korsi biçikletash, pasi ka përfunduar rikualifikimi i parkut dhe pritet të inaugurohet brenda pak ditësh. Brenda parkut natyror nuk do të lejohet hyrja e automjeteve, ato do të parkohen rreth dy kilometra nga pika panoramike.

Të parët që kanë filluar ta vizitojnë Syrin e Kaltër janë turistët e huaj të cilët vlerësojnë transformimin e parkut natyror.

‘Shqipëria është një destinacion që duhet vizituar patjetër. Riviera është fantastike por edhe vendet historike si Berati e Gjirokastra. Është shumë shumë bukur dhe njerëzit janë miqësorë, mund të dalësh pasditeve të takosh njerëz të mirë dhe të ndihesh shumë i sigurt dhe mendoj se e ardhmja e turizmit këtu në Shqipëri është shumë e mirë.’– u shpreh një turist.

‘Shqipëria është një vend i pazbuluar dhe duhet parë me patjetër. Ka ushqim dhe njerëz shumë të mirë dhe tashmë që e vizitova kam një tjetër përshtypje për Shqipërinë nga çfarë e kisha më parë. Syri i kaltër fantastik me ngjyrat e tij, do ta mbaj mend gjithë jetën.’- tha një tjetër.

Syri i Kaltër i konsideruar parajsë natyrore dhe perlë e turizmit veror gjendet pranë fshatit Muzinë, në Rrugën nacionale Delvinë-Gjirokastër, rreth 30 minuta larg nga Saranda. Brenda zonës së mbrojtur përfshihen sipërfaqe ujore, sipërfaqe pyjore, livadhe e toka bujqësore.