Importet e makinerive dhe pjesëve të këmbimit rritje me 2.7% në mars

1

Importi i makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit, një tregues direkt i investimeve në ekonomi shënoi rritje me 2.7 % në muajin mars të këtij viti, duke arritur në 19.7 miliardë lekë nga 17.5 miliardë lekë që ishin në marsin e 2023-shit.

Importi për mallrat bazë të industrive prodhuese, lidhet me zgjerimin e aktivitetit të këtyre sektorëve dhe interesin në rritje të sipërmarrjes për përdorimin e teknologjive bashkëkohore që përmirësojnë cilësinë e prodhimit.

Ndërkohë gjatë tremujorit të këtij viti në total importet e kësaj kategorie llogariten 57.9 miliardë lekë nga 57,9 që ishin gjatë 3-mujorit të 2023-shit.

Referuar të dhënave të INSTAT-it, Italia, Kina dhe Gjermania janë partnerët kryesore me volumin më të madh në vlerë të importit të kësaj kategorie.

Gjithsej nga Italia gjatë 3-mujorit u importuan rreth 10.9 miliardë lekë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi.

Nga Kina u importuan 8.6 miliardë lekë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi. Ndërsa nga Turqia u importuan 7.9 miliardë lekë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi.

Investimet e huaja direkte vijojnë të qëndrojnë në nivele historike. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë flasin për një fluks investimesh të huaja, vlera progresive e të cilave arriti në 1 miliard e 88 milionë euro.

Për nëntëmujorin janar-shtator 2023, vlera e investimeve të huaja direkte u paraqitet në rritje me 10.6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Shtimi i investimeve të huaja direkte po mbështetet fort nga forcimi i monedhës kombëtare, lekut, në kursin e këmbimit valutor në tregun e brendshëm.

Gjatë vitit 2023, sektori i pasurive të paluajtshme kryesoi shtimin e investimet e huaja direkte për të dytin vit radhazi. Investimet e huaja në pasuri të paluajtshme për 9-mujorin janar-shtator 2023, arritën vlerën e 222 milionë eurove. Investimet në këtë sektor përbënë më shumë se 20 % të investimeve të huaja për vitin 2023.

Pas pasurive të paluajtshme, sektori i dytë për nga vlera e investimeve të huaja është ai i industrisë nxjerrëse. Për 9-mujorin janar-shtator 2023, investimet në sektorin e industrisë nxjerrëse arritën në 200 milionë euro.

Sektori energjetik renditet i treti, për nga vlera e investimeve të huaja direkte, me 121 milionë euro për 9-mujorin 2023. Në vitet e fundit, ka një shtim të ndjeshëm të interesit të kompanive të huaja, për ndërtimin e parqeve fotovoltaike dhe eolike.

/ata.gov.al