“Travel Weekly”: Shqipëria mes destinacioneve më të vlerësuara nga ekspertët e “Cyplon Holidays”

0

Ekspertët e kompanisë britanike të udhëtimeve “Cyplon Holidays” kanë shtuar në portofolin e destinacioneve europiano-lindor edhe Shqipërinë, shkruan Samantha Mayling në të përditshmen britanike “Travel Weekly”.

Operatori tashmë ofron një gamë të gjerë pushimesh në të gjithë Mesdheun, Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme.

Pushimet në destinacionin më të ri, Shqipëri përfshijnë turne privatë me shoqërues, në vende si Tirana, Golemi, Qerreti dhe Saranda.

“Plazhet e pacenuara që zbukurojnë resortet e Shëngjinit dhe Durrësit, së bashku me rrugët me kalldrëm dhe peizazhin dinamik të qytetit të Tiranës, ilustrojnë mrekullitë që Shqipëria ka për të ofruar”, tha Jerome Downer, menaxheri i “Cyplon Holidays”.

“Padyshim, Shqipëria qëndron si një perlë e fshehur e gatshme të shkëlqejë në vitin 2024”, shtoi ai.

“Kërkesa për Shqipërinë është rritur gjatë vitit të kaluar. Shqipëria është përmendur shumë herë si një vend që duhet vizituar në vitin 2024”, tha Stephanie Robins, drejtoreshë e shitjeve të paketave turistike në “Cyplon Holidays”.

“Peizazhet e saj mahnitëse malore dhe plazhet e bukura nuk duhen humbur”, theksoi ajo.

“Pasi zgjodhëm me kujdes të gjitha hotelet dhe turnetë tona, tani jemi shumë të emocionuar t’u tregojmë qytetarëve britanikë pikërisht atë që Shqipëria ka për të ofruar”, tha ajo.

/ata.gov.al