Turistja italiane, vizitorja e 100 000-të në Muzeun e Krujës

5

Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” ka shënuar një numër rekord vizitorësh gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti.

Janë 100 mijë vizitorë vendas e të huaj që kanë vizituar muzeun gjatë këtij viti. Ndërkohë që gjatë muajit nëntor presim një fluks të lartë vizitorësh në kuadër edhe të festave të 28-29 nëntorit.

Mbi 50% e vizitorëve janë nga vende të ndryshme të botës, ndërsa kryesojnë spanjollët, polakët, italianët, amerikanët etj.

Vizitorja e 100 000-të ishte Roberta Oss Pegora nga Trento, Itali, e cila në veçanti vlerësoi mikpritjen dhe mirësjelljen e shqiptarëve gjatë qëndrimit në vendin tonë.

Në muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. Aty numërohen disa pavijone si, pavijoni i antikitetit dhe mesjetës së hershme, pavijoni i principatave shqiptare, i pushtimit osman dhe përballimit të këtij pushtimi, pavijoni i kështjellave mesjetare, i qëndresës shqiptare, kancelaria e Skënderbeut, biblioteka, salla e princave, e pinakotekës dhe së fundi pavijoni i trashëgimisë dhe i jehonës.

Në këto pavilone janë ekspozuar objekte prej qeramike, bronzi, hekuri, bakri, faksimile të ndryshme, ikona origjinale, shkrime, kambana e vitit 1462, shpata origjinale të shekullit të XV, etj.

/ata.gov.al