Universiteti i Tiranës fitues me 8 projekte të Erasmus+

23

Universiteti i Tiranës në thirrjet për aplikime të vitit 2022 në fushën e veprimit Jean Monnet ka fituar në rang kombëtar vendin e parë, duke u konfirmuar institucion lider në arsimin e lartë në Shqipëri, krahasuar me vendet e rajonit e më gjerë.

Sipas njoftimit për shtyp të Universitetit të Tiranës, në këtë thirrje janë përzgjedhur 8 projekte fituese nga të cilat 1 Jean Monnet Chair dhe 7 Jean Monnet Module.

“Fusha e veprimit Jean Monnet zhvillohen nën programin Erasmus+ duke ofruar mbështetje për mësimdhënien, mësim nxënien, kërkimin dhe debatet mbi aspekte të ndryshme të të zhvillimeve në fusha të ndryshme në hapësirën e Bashkimit Evropian. Studimet në këtë fushë do të kontribuojnë veçanërisht në Shqipëri në promovimin e vlerave evropiane në vendin tonë”, theksohet në njoftim.

Universiteti i Tiranës falënderon të gjithë personelin akademik që është angazhuar në shkrimin dhe aplikimin e projekteve ndërkombëtare dhe kombëtare në arritjen e këtyre rezultateve duke lartësuar emrin e Universitetit të Tiranës në fushën e kërkimit shkencor dhe ndërkombëtarizimit.