10 Tetori, Dita Botërore e Shëndetit Mendor

7

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përcaktuar 10 tetorin e çdo viti si Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, si një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet e shëndetit mendor dhe përpjekjet e mobilizuara në mbështetje të shëndetit mendor në mbarë botën.

Në një kontekst global, kur ndodhin kriza humanitare është e nevojshme që në kohën e duhur të vijë mbështetja dhe ndihma e parë psikologjike. Në shumë vende dhe çdo ditë, njerëzit përjetojnë kriza personale, nga ato më të lehta si humbja e të dashurit apo një situatë stresuese në punë, deri tek ato më të rënda si përjetimi i sëmundjeve të rënda fizike.

Ka njerëz që fatkeqësisht përjetojnë abuzim dhe/ose dhunë, të cilat rrisin stresin dhe mundësinë e zhvillimit të problemeve të shëndetit mendor. E gjithë shoqëria duhet të jetë e vetëdijshme lidhur me nevojën e sigurimit të mbështetjes së duhur, kur njerëzit përjetojnë stresin për shkak të ngjarjeve traumatike si në nivel global, ashtu edhe në atë individual.

Kjo datë është e rëndësishme, veçanërisht për shoqëri ende të pastabilizuara dhe që kanë dalë nga shoqëri të traumatizuara, siç janë vendet që kanë kaluar luftëra, apo konflikte.

Kjo datë shënohet zakonisht me aktivitete të shumta, ku institucionet shtetërore shfaqin kujdesin e tyre ndaj kësaj kategorie me rrezik, duke u bërë të qartë bartësve të sëmundjeve të shëndetit mendor, se edhe ata, si gjithë të tjerët, mund ta çojnë jetën e tyre të përditshme sa më afër normales, me solidarizime, shfaqje publike, apo edhe protesta.

Shëndeti Mendor në epokën moderne është përherë e më shumë një shqetësim për autoritetet, meqenëse vlerësohet se sot në botë, vuajnë nga shqetësime mendore më shumë se 450 milionë njerëz.

/ata.gov.al