Rruga e Dukagjinit lehtëson qarkullimin dhe nxit turizmin

2

Banorët e Dukagjinit do të kenë së shpejti një rrugë të rehabilituar, e cila do të ndikojë për zhvillimin ekonomik dhe turizmin.

Segmenti, me gjatësi 17 km, do të lehtësojë qarkullimin e mjeteve jo vetëm për banorët e zonës, por edhe për turistët.

Vijon puna për ndërtimin e rrugës së Dukagjinit, në segmentin Prekal-Kir, 17 km i gjatë, që do lehtësojë qarkullimin e mjeteve jo vetëm për banorët e zonës, por edhe për turistët e shumtë që do të zbulojnë Dukagjinin, dhe bukuritë e tjera të veriut të Shqipërisë.

Edhe banorët e zonës shprehen se e mirëpresin fillimin e këtij investimi. “Falënderoj shumë çdo firmë që ka kapur këtë rrugë. Jemi shumë të kënaqur se kemi vendlindjen këtu”, u shpreh një banore.

Rruga sjell po ashtu lehtësi edhe për turistët që vizitojnë zonën.

“Natyrisht na pëlqen shumë. Kemi ardhur nga pjesa veriore, kemi ardhur përmes kësaj rruge nga Thethi. Natyra është shumë e bukur mund të vish në fshat më shpejt, gjithashtu për banorët”, u shpreh një turiste e huaj.

“Nëse jeton këtu normalisht s’të pëlqen kjo rrugë e keqe. Unë do të kthehem patjetër këtu”, u shpreh një tjetër turist i huaj.

Projekti i hartuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit që financohet nga qeveria me fondin prej 200 805 067 lekë, ka si objekt mbrojtjen nga rrëshqitjet dhe ndërtimin e veprave të artit përgjatë këtij segmenti me gjatësi 17 km.

Projekti konsiston në sistemimin, profilizimin e rrugës si dhe vendosjen e tombinove dhe mureve mbajtës nga fshati Prekal, deri në hyrje të fshatit Lotaj, si dhe në restaurimin e veprave ekzistuese të artit dhe shtimin e tyre aty ku janë të domosdoshme.

Rruga do të ketë një gjerësi të përgjithshme prej 5 metrash, duke ruajtur aksin e rrugës ekzistuese. Punimet pritet të përfundojnë deri në pranverën e vitit të ardhshëm. Ky aks rrugor, në të cilin nuk është investuar prej vitesh, ka një dimension  strategjik për zhvillimin e turizmit në rajonin e Shkodrës dhe të Tropojës.

/ata.gov.al